Shkodër - Prej 24 orësh, KESH ka nisur shkarkimet nga Hidrocentrali i Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës. Si pasojë, sot është konstatuar rritje e niveleve në lumenjtë Drin e Bunë si dhe në Liqenin e Shkodrës.
Prefektura e qarkut Shkodër përmes një njoftimi zyrtar ka informuar se në zonën e Obotit, uji ka përfshirë kryesisht toka bujqësore, duke zgjeruar sipërfaqen e përmbytur. Aksi lidhës i fshatit me rrugën kryesore është i bllokuar, pasi niveli i ujit arrin në 40–50 centimetra.
Për t’u ardhur në ndihmë banorëve, në rrugën e Obotit gjenden dy kamionë 10 efektivë të Forcat e Armatosura.
Ndërkohë reshjet e borës kanë sjellë probleme në akset malore. Rruga Bogë-Theth vijon të ndikohet nga reshje intensive, ndërsa Qafa e Thorës mbetet e bllokuar në zonën e tuneleve për shkak të orteqeve. Po punohet me mjete borëpastruese për hapjen e rrugës.
Në aksin Hani i Hotit–Vermosh ka reshje të dendura dëbore mbi kuotën 1000 metra, ku qarkullimi kryhet vetëm me goma dimërore dhe me asistencë të mjeteve borëpastruese.
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.
Autoritetet bëjnë apel për kujdes maksimal dhe ndjekje të udhëzimeve të strukturave të emergjencës, ndërsa situata vijon të monitorohet në mënyrë të vazhdueshme
Nga bashkitë Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz nuk raportohen problematika.
Lajm ne perditesim...
Deti i tërbuar dhe me batica ka qenë gjatë gjithë ditës së martë dhe mbrëmjes në Borsh. Mbrëmjen e së martës, batica ka arritur deri te hotelet që ndodhen në lagjen turistike që njihet si Shkalla e Borshit për shkak të hoteleve që janë ngritur.
Moti i keq në Vlorë
Moti i keq ka përfshirë vendin prej disa ditësh.
Në Vlorë, për shkak të kushteve hidrometeorologjike detare të përkeqësuara, nisja e një trageti e linjës Vlorë-Brindisi është shtyrë.
Nisja e tragetit “EUROPEAN STAR” e planifikuar për sot në orën 23:00, është shtyrë për ditën e mërkurë, në orën 12:00.
"Përshëndetje, Ju informojmë se për shkak të kushteve hidrometeorologjike detare të përkeqësuara, nisja e tragetit “EUROPEAN STAR” e planifikuar për sot në orën 23:00, është shtyrë për ditën e mërkurë, në orën 12:00. Ky ndryshim bëhet për të garantuar sigurinë e udhëtimit.", thuhet në njoftimin e Kapitenerisë së Portit.
Moti i keq ka sjellë problematika edhe në qarkun e Elbasanit, ku përkatësisht në rezervuarin “Aksi 2-2” në Funar, niveli i ujit është rritur ndjeshëm, me tendencë për dalje mbi digë.
Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Elbasanit, Gledian Llatja, bën të ditur se Bashkia Elbasan, Prefektura Elbasan dhe Policia e Shtetit në koordinim me AKMC, kanë njoftuar strukturat përkatëse të mbrojtjes civile dhe situata është nën kontroll.
Po ashtu mësohet se në këto momente, sasia e ujit që po shkarkohet është më e madhe se prurjet hyrëse dhe konkretisht po shkarkohet rreth 3 metër kub në sekondë më shumë se sa ka prurje.
Megjithëse niveli i ujit pas shkarkimeve është ulur me rreth 20 centimetër, rreziku vijon të mbetet ekzistent dhe gjithçka do të varet nga kushtet e motit gjatë mbrëmjes së sotme.
Ndërkohë burime për Report TV bëjnë të ditur se moti i keq ka çuar në rënien e inerteve dhe baltës në aksin Elbasan-Funar, ndërkohë që fadromat kanë ndërhyrë për pastrimin e rrugës.
Njoftimi i Gledian Llatja:
Gjatë natës së mbrëmshme, duke vijuar edhe gjatë mëngjesit të sotëm, jami përballur me një situatë emergjente në rezervuarin “Aksi 2-2” në Funar, ku niveli i ujit është rritur ndjeshëm, me tendencë për dalje mbi digë.
Aktualisht, Bashkia Elbasan dhe Prefektura Elbasan dhe Policia e Shtetit në koordinim me AKMC, kanë njoftuar strukturat përkatëse të mbrojtjes civile dhe situata është nën kontroll.
Në këto momente, sasia e ujit që po shkarkohet është më e madhe se prurjet hyrëse, konkretisht po shkarkohet rreth 3 metër kub në sekondë më shumë se sa ka prurje.
Megjithatë, nuk mund të konsiderohet se rreziku ka kaluar plotësisht, pasi gjithçka mbetet e varur nga kushtet e motit në vijim të ditës dhe gjatë mbrëmjes.
Strukturat përgjegjëse, të mbështetura edhe nga efektivë të Policisë do të vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri të plotë për monitorimin e vazhdueshëm dhe menaxhimin e situatës.
Aktualisht është ulur niveli i ujit rreth 20 cm.
Qarku i Kukësit është përfshirë në orët e mesditës nga reshje shiu të shoqëruara me erëra të forta, ndërsa në zonat malore kanë nisur reshjet e borës.
Burime për Report TV bëjnë me dije se borë ka rënë edhe në segmentin Fushë Dukagjin–Tuneli i Kalimashit, pjesë e Rrugës së Kombit.
Aktualisht rruga është e qarkullueshme, ndërsa mjetet borëpastruese të kompanisë mirëmbajtëse ndodhen në terren për kriposje dhe pastrim të segmentit.
Ndërkohë, subjekti kontraktor që ka në mirëmbajtje rrugët nacionale në Tropojë bën me dije se si pasojë e reshjeve ka pasur rënie inertesh dhe gurësh në aksin Dushaj–Lekbibaj. Nga kompania “Florida” po punohet për pastrimin dhe kthimin në normalitet të këtij aksi rrugor. Qarkullimi i mjeteve nuk është penguar.
Deri më tani nuk raportohen problematika të tjera, por drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes. Në rrugët nacionale ka prani lagështie për shkak të reshjeve të shiut, ndërsa në segmentet malore haset borë në disa zona të caktuara. Kujdes i shtuar kërkohet edhe në rrugët rurale të qarkut Kukës.
Kapiteneria e Portit të Vlorës për shkak të motit të keq ka ndaluar lundrimin për anijet e vogla jashtë gjirit të Vlorës deri mëngjesin e ditës së nesërme.
Përmes një njoftimi, Kapiteneria bën me dije se tragetet do të vijojnë të operojnë normalisht.
Njoftimi i plotë:
Në bazë të parashikimit për situatën hidrometeorologjike të përkeqësuar brenda dhe jashtë gjirit të Vlorës, gjatë datave 17–18.02.2026, duke filluar nga ora 10:00 e datës 17.02.2026, në drejtimin VERI–VERIPERËNDIM me forcë deri 6–7 Bft, shpejtësi ere 15–20 m/s dhe lartësi dallgësh nga 1.50 deri 2.50 metra, kërkojmë:
1. Kapiteneria e Portit Vlorë ka ndaluar pajisjen me leje-nisje e mjeteve të vogla lundruese dhe atyre të peshkimit që synojnë të operojnë jashtë gjirit të Vlorës, në det të hapur, duke filluar nga ora 10:00 e datës 17.02.2026 deri në orën 06:00 të datës 18.02.2026.
2. Me qëllim parandalimin e çdo situate të papritur për shkak të kushteve atmosferike, kërkojmë bashkëpunimin e të gjitha subjekteve dhe institucioneve që ushtrojnë veprimtari në fushën e detarisë, për marrjen e masave të nevojshme në sigurimin e mjeteve në port dhe rritjen e gatishmërisë së ekuipazheve në mjetet lundruese.
3. Anijet e transportit ndërkombëtar detar do të vazhdojnë të operojnë normalisht sipas destinacioneve përkatëse.
4. Përmirësimi i situatës hidrometeorologjike për mjetet e vogla lundruese dhe të peshkimit pritet pas orës 06:00 të datës 18.02.2026.
Si pasojë e reshjeve të dendura të shiut të rëna gjatë orëve të natës lumi Ishëm në fshatin Murqinë të Fushë Krujës ka dalë nga shtrati.
Dhjetëra hektarë tokë bujqësore ndodhen nën ujë, teksa një lagje është izoluar. Rruga në këtë zonë është e kalueshme vetëm me mjete të larta.
Situata me reshjet e dëborës në Korçë paraqitet e qëndrueshme, ndërsa vijon monitorimi për të garantuar sigurinë e qytetarëve.
Në segmentet Libonik–Rëmbec–Plasë, Korçë–Voskopojë dhe Boboshticë–Dardhë, qarkullimi mund të kryhet vetëm me goma dimërore. Strukturat janë në terren duke kryer pastrim dhe kriposje. Në Boboshticë-Dardhë (Lapidari i Podgories) janë dy borëpastruese në terren.
Në të gjitha akset e tjera, përkatësisht Ersekë–Tre Urat, Korçë–Ersekë, Zemblak–Goricë dhe Bilisht–Miras, reshjet vijojnë, por deri më tani nuk raportohen vështirësi në lëvizje.
Në Pogradec, përveç reshjeve të pakta të dëborës në zonën e tuneleve, nuk raportohen probleme. Niveli i lumenjve paraqitet në prurje normale, pa rrezik për përmbytje.
Nuk paraqiten probleme në bashkitë e tjera të qarkut Korçë.
Energjia elektrike është ndërprerë për 12 abonentë në fiderin Cervenak, NST Guri i Kuq. Grupet e punës ndodhen në terren për evidentimin dhe riparimin e defektit.
Reshjet e dëborës kanë nisur në zonat veriore dhe juglindore të vendit. Në një njoftim, Autoriteti Rrugor Shqiptar ka renditur të gjitha zonat me prani të reshjeve të dëborës, ku e bllokuar mbetet vetëm Qafë Thora për shkak të rënies së ortekëve.
ARRSH bën me dije se veç këtij aksi, qarkullimi vijon normalisht në segmentet e tjera rrugore. Në terren vijon puna për pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës.
“Gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar dhe në orët e para të mëngjesit ka filluar dëbora në zonën veriore në lartësi mbi 800m, si dhe në juglindje të vendit.
Reshje dëbore ka pasur në: Bajram Curri–Valbonë, Ura e Bujanit–Qafë Morinë, Fierzë–Bajram Curri, Kukës–Krumë, Kukës–Shishtavec, Hani i Hotit-Vermosh, Bogë-Theth, Qukës-Qafë Plloçë, Korçë-Voskopojë, Korçë-Ersekë, Ersekë-Tre Urat.
Përveç zonës së Qafë Thorës, e cila vijon të jetë e bllokuar prej rënies së vazhdueshme të ortekëve, të gjitha akset janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.
Kontraktorët me mjete dhe punëtorë janë në terren po punojnë me pastrimin e akseve rrugore dhe shpërndarjen e kripës për të evituar ngricat.
Drejtuesit e mjeteve të kenë kujdes të shtuar gjatë drejtimit të mjetit, të pajisen me goma dimërore dhe zinxhir kur udhëtojnë drejt akseve rrugore me prezencë dëbore”, njofton ARRSH.
Komente












