Shkarkimi i Ajazit, Manjani:
Nishani s’duhet ta pengojë

Shkarkimi i Ajazit, Manjani:<br />Nishani s’duhet ta pengojë
TIRANE- Ylli Manjani, nënkryetar i LSI, njëherësh dhe zv.ministër i Transportit dhe Infrastrukturës në qeverinë “Rama”, në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” shprehet me tone aspak optimiste për punën e kreut të Shërbimit Informativ Shqiptar, Visho Ajazi Lika.

Zyrtari i lartë i LSI, i cili drejton dhe sektorin juridik në këtë parti, shprehet se nëse është e vërtetë qarkorja e shpërndarë nga SHISH për përgjimin e drejtuesve të lartë të policisë, atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të ligjit. Për më tepër që logjika është e papranueshme pasi në vend që të përgjohen kërcënuesit e sigurisë kombëtare dhe rendit kushtetues, përgjohen rojtarët e ligjit.

Manjani thotë se kjo është logjika e ish-kryeministrit Berisha, duke treguar qartë se SHISH punon për ish-kryeministrin dhe jo për kryeministrin aktual siç e parashikon dhe ligji. Ai vlerëson kërkesën e Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare për të hetuar veprimtarinë e SHISH dhe kreut të këtij institucioni, pasi sipas tij ai nuk ka dhënë asnjë informacion në lidhje me veprimet terroriste dhe kriminale në Shqipëri, e pohuar dhe nga vetë ministri i Brendshëm Saimir Tahiri. Për të, Presidenti duhet ta vlerësojë situatën sikurse bëri me rastin e kërkesës së ish-kreut të qeverisë Berisha, për nismën e shkarkimit të paraardhësit të kreut aktual të SHISH, nëse kryeministri Rama kërkon shkarkimin e Visho Ajazi Lika, pa pritur rezultatin përfundimtar të hetimit të komisionit të Sigurisë.

Gjithsesi, veprimin e deritanishëm të Ramës dhe mazhorancës ndaj kreut të SHISH e cilëson të matur, pasi deri më tani shërbimi sekret është jashtë loje. Nga ana tjetër në lidhje me zbardhjen e vrasjeve të katër protestuesve të pafajshëm të 21 janarit, të kërkuar dhe nga Parlamenti Evropian, Manjani e cilëson të domosdoshme dhe kërkesën e Ramës për prokuror të huaj zgjidhje efikase, pasi kështu u veprua dhe me zbardhjen e vrasjes së liderit të dhjetorit, Azem Hajdari.
 
Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror Visho Ajazi Lika është akuzuar se ka vënë nën përgjim drejtuesit më të lartë të policisë së shtetit, madje ka kërkuar përmes një qarkoreje dhe material komprementues për ata. Madje ka akuza se ka përgjuar dhe ministrat dhe drejtues institucionesh, a duhet hetuar?

Nëse provohet si e vërtetë ajo qarkore e SHISH, që u prezantua nga media, kemi të bëjmë qartësisht me një tejkalim të ligjit për SHISH. SHISH-i ka për detyrë që të mbledhë informacion për kërcënuesit e rendit kushtetues dhe të sigurisë kombëtare dhe jo për ruajtësit e tyre. Mund të qëllojë, teorikisht që ka edhe nga radhët e rojeve të sigurisë, bashkëpunëtorë më kërcënuesit, por kjo nuk mund të jetë e gjithë Policia e Shtetit.

Vetë fakti që SHISH vë nën përgjim të gjithë policinë, tregon se SHISH mendon se e gjithë policia dhe politika kërcënoka rendin Kushtetues?! Kjo logjikë është e papranueshme nga asnjë ligj, normë apo rregull mbarëbotëror. Kjo logjikë mbrohet vetëm nga ish-Kryeministri i vendit dhe sot “Plus njishi” i PD. Përsëri e theksoj, nëse rezulton e vërtetë kjo qarkore, atëherë lidhja logjike ndërmjet veprimeve të SHISH me përpjekjet e “Plus njishit” është e dukshme dhe çka është më e rëndë, SHISH provon qartë se punon jo për Kryeministrin siç thotë ligji, po për ish Kryeministrin. Prandaj kjo është shkelje e rëndë e ligjit.
 
Për këtë shkelje të ligjit, ju mendoni se duhet të merren masat ligjore nga ana e kryeministrit nga i cili varet, paçka se firmën përfundimtare për shkarkimin e kreut të SHISH e ka Presidenti?

Mbetet për t’u vlerësuar rigoroziteti dhe ligjshmëria e sjelljes së Presidentit të Republikës, gjithashtu. Ligji i ka dhënë atij të drejtën të dekretojë emërimin dhe shkarkimin e drejtoritt ë SHISH, mbi propozimin e Kryeministrit. Kur mori detyrën e lartë të presidentit, zoti Nishani vlerësoi drejt situatën kur tha se, "nuk është detyrë e tij të pengojë kryeministrin, sepse SHISH varet prej tij".

Në këto kushte nëse Kryeministri aktual do të propozojë shkarkimin e drejtorit aktual, sipas kësaj sentence korrekte ligjore të Presidentit, Ai s’mund t’i bëhet pengesë kryeministrit në dekretimin e propozimeve të tij. SHISH në bazë të ligjit varet funksionalisht nga Kryeministri. Ky është standard i çdo vendi të NATO-s. Natyrisht, këto ngjarje mbeten për t’u parë, por debati i çelur në këtë kontekst është ende hipotetik, sepse Komisioni i Sigurisë nuk ka mbaruar ende detyrën e tij. Natyrisht kjo nuk e ndalon kryeministrin të propozojë shkarkimin e drejtorit të SHISH, por me sa duket, ai ka zgjedhur të dëgjojë konkluzionet e këtij Komisioni Parlamentar.
 
Mirëpo Komisioni i Sigurisë në Kuvendin e Shqipërisë, apo më saktë mazhoranca në këtë komision ka kërkuar kontroll të veprimtarisë së SHISH dhe kreut të saj, për emërimet, për mungesën e dhënies së informacionit për krimin dhe terrorizmin. Si e vlerësoni iniciativën...?
Ka një fakt shqetësues që është bërë prezent nga Ministri i Brendshëm: SHISH nuk po jep informacion për krimin me lëndë plasëse. Edhe kjo çështje meriton të hetohet nga Komisioni Parlamentar i Sigurisë, jo se nuk besojmë ministrin, por për transparencë dhe balancë në arsyetim dhe veprim. Sepse, që SHISH nuk ka informacion për të dhënë për krimin nga njëra anë dhe nga ana tjetër ka kohë të përgjojë dhe hetojë drejtuesit e policisë në të gjithë vendin, kjo është disa fish e rëndë si ndodhi. Prandaj, një hetim i integruar për këtë institucion është i domosdoshëm. Dhe në këtë kontekst, ndaj duhet pritur konkluzioni i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare.
 
Pra ju mendoni se një lëvizje e mundshme për të reformuar kupolën drejtuese të SHISH, qoftë dhe zëvendësimin e kreut të këtij institucioni të Shërbimit Sekret duhet të bëhet pas daljes së rezultatit të hetimit të Komisionit Parlamentar të Sigurisë?
Shërbimi Informativ Shtetëror është një institucion sensibël dhe si i tillë duhet trajtuar, pavarësisht drejtimit të gabuar të momentit. Prandaj mbështes lëvizjet e matura të mazhorancës, e cila, pavarësisht se sa të rënda janë faktet që e kompromentojnë këtë institucion sot, po i trajton ato me maturinë dhe qetësinë e domosdoshme. Ndërkohë, policia po tregon se është në lartësinë e detyrës, sepse edhe pa kontributin ligjor të SHISH-it, ka bërë arrestime spektakolare të kriminelëve që nuk janë bërë ndonjëherë me parë. Na pëlqen apo jo, policia e sotme ka arrestuar një bandë shumë të rrezikshme tritoli dhe vrasës me pagesë, këta të fundit për herë të parë në kaq vite në Shqipëri.
 
Për hetimet e 21 Janarit edhe Parlamenti Evropian, përmes Tanja Fajon ka kërkuar me insistim gjetjen e vrasësve të protestuesve para Kryeministrisë. Si e mendoni zgjidhjen e kësaj çështjeje?
Nuk jam në dijeni se çfarë ka thënë zonja Fajon, aq më tepër në këtë fushatë zgjedhore për Parlementin Europian, nuk më nxisin ndonjë interes të veçantë. Por, ‘21 janari’ është një çështje në axhendën e shtetit shqiptar, e cila kërkon dhe meriton zgjidhje të drejtë. Mbështes idenë e Kryeministrit për të caktuar një prokuror të huaj për këtë çështje. Kemi pasur edhe precedentë të mëparshëm për këtë qëllim. Për vrasjen e Azem Hajdarit ka patur prokuror të huaj në proces. Pse jo të mos ketë edhe për këtë ngjarje që, me sa duket nuk zgjidhet në mënyrë të besueshme nga organet tona të drejtësisë.

Shkrimi u publikua sot (14.03.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë

'Asnjë taksë për 10 vite!' Rama fton shqiptarët në Britani të investojnë në malet e Shqipërisë