Shkarkohet Cani, financat e
shtetit në dorë të Ahmetajt

Shkarkohet Cani, financat e<br />shtetit në dorë të Ahmetajt
TIRANË - Këtë të enjte Shkëlqim Cani nuk do të ulet në karrigen e Ministrit të Financave, por do të zbresë një kat më poshtë në sallën plenare, për tu ulur në karrigen e tij si deputet. Me vendim të kryeministrit Rama, në karrigen e Canit do të ulet ministri aktual i ekonomisë, Arben Ahmetaj, ndërsa zëvendësministrja e Shëndetësisë, Milva Ekonomi do të jetë ministrja e re e Zhvillimit Ekonomik. Lajmi u mësua fillimisht nga burime të sigurta për Report TV, ndërsa pak momente më pas përmes një deklarate zyrtare kryeministria solli detaje nga ky vendim. Ky vendim ka qenë surprizë për vetë ministrat, të cilët, ndërkohë që Report TV publikoi zëvendësimin, ndodheshin së bashku në Ministrinë e Financave në një takim me Bankën Botërore.

Ata janë njohur përmes televizionit me zëvendësimin e tyre, e po në të njëjtën mënyrë është njohur dhe Milva Ekonomi. Ky vendim i papritur nga ana e kryeministrit duket se e ka çuditur Canin dhe për këtë, ka të paktën dy detaje vërtetuese. Cani kishte parashikuar një intervistë televizive për ditën e djeshme në cilësinë e Ministrit të Financave, dhe e ka anuluar ato vetëm dje pas lajmit të shkarkimit të tij. Po ashtu, mësohet se ministri Cani kishte prerë një biletë avioni për një udhëtim pune jashtë shtetit për ditën e shtunë, çka tregon se ai nuk priste të shkarkohej. Po me të njëjtën habi i pritën lëvizjet në qeveri edhe deputetët e mazhorancës. Teksa po kryenin mbledhjet e komisioneve parlamentare, gazetarët ju kërkuan vlerësim për lëvizjet në kabinet, por ata u shprehën të habitur duke thënë se sapo e mësuan lajmin prej medias. Një lëvizje e befasishme brenda të majtës, por që ishte lakuar prej kohësh nga burime jo zyrtare, që vinin theksin tek performanca e të ardhurave në buxhet.

Për dy vite rresht të ardhurat në tatime dhe dogana nuk u realizuan sipas parashikimit, teksa buxhetet e shtetit u rishikuan 3 herë. Aksioni kundër informalitetit që tentonte të korrektonte këtë mungesë të të ardhurave në arkën e shtetit, që prej fillimit të saj u shoqërua me protagonizmin e Arben Ahmetajt, dhe pse institucionet përgjegjëse, tatimet dhe doganat drejtoheshin nga Cani. Pavarësisht nismës për luftën ndaj informalitetit sërish të ardhurat në Buxhet nuk ishin të kënaqshme, kjo dhe pas rishikimit me akt normativ të të ardhurave të vitit 2015. Çka duket se ka bërë që Rama të hedh një tjetër hap. Kryeministri Edi Rama ka komentuar në Facebook lëvizjet në kabinetin e tij, duke thënë se, “misioni bazë për dy ministrat e rinj është përshkallëzimi i operacionit kundër informalitetit”. Gjithashtu, një tjetër mision bazë për Ahmetaj dhe Ekonomin do të jetë sipas kryeministrit “edhe lehtësimi i mëtejshëm i biznesit të ndershëm”.

Këto ndryshime nuk janë të parat që ndodhin gjatë mandatit të koalicionit të majtë PS­LSI. I fundit ishte dorëheqja e ministrit të Drejtësisë Nasip Naço dhe emërimi në postin e tij i Ylli Manjani. Blendi Klosi u vendos në krye të Ministrisë së Mirëqenies Sociale pas largimit të Erion Veliajt dhe fitores që mori në qershor 2015 për të drejtuar bashkinë e Tiranës. Dorëheqje tjetër, ishte edhe ajo  e ministrit për marrëdhëniet me parlamentin Ilirjan Celibashi dhe emërimi në vend të tij i ministres Ermonela Felaj.

 
Komenti, Shkarkimi i Canit, Balla: Mund dhe duhet të ketë ndryshime të tjera
Lëvizja e fundit në kabinetin qeveritar mund të pasohet nga të tjera. Kështu deklaroi për Report Tv nënkryetari i grupit parlamentar të PS­së Taulant Balla, duke iu referuar shkarkimit të ministrit të Financave Shkëlqim Cani. “Dua të citoj atë që ka thënë Rama që në çdo moment që vlerësohet që duhet më shumë angazhim, më shumë përpjekje për të çuar përpara reformat dhe përmbushur pritshmëritë e qytetarëve, mund dhe duhet të ketë ndryshime,” tha ai. Deputeti Balla, ndonëse vlerësoi maksimalisht arritjet e ministrit Cani në konsolidimin e ekonomisë, u shpreh sërish duke cituar kryeministrin Rama se gjithmonë ka vend për përmirësime. “Rama e ka thënë në mënyrë figurative që gjithmonë ka vend për përmirësime.

Në një kuadër më të gjerë u mendua që përpjekjet e vazhdueshme për përmirësim të ekonomisë t'i besohen drejtimit të një prej ministrave më të suksesshëm të qeverisë, Arben Ahemtaj. Cani përmbushi me sukses një fazë të rëndësishme në programin e qeverisë që përkon me konsolidimin e financave të vendit, jemi në një fazë tjetër, ajo e formalizimit tërësor të ekonomisë sonë. Reforma kundër informaliteti duhet të vazhdojë me intensitet më të gjerë.” deklaroi Balla. Nënkryetari i grupit socialist ka komentuar dhe kritikat e Blushit, duke i konsideruar si shprehje e metoda të përdorura nga Berisha.
 
Bordi i FMN, Gati këstet e radhës prej 53 milionë eurosh për Shqipërinë
Bordi i Fondit Monetar Ndërkombëtar pritet të miratojë sot këstet e radhës së kredisë prej 53 milionë eurosh për Qeverinë shqiptare. Vendim i cili do të jepet në ditën e parë pas shkarkimit të Canit nga posti i Ministrit dhe zëvendësimin me Ahmetajn. Dhënia e “ok” për miratimin e kësteve u konfirmua pas vizitës që zhvilloi misioni i FMN-së në Tiranë, në nëntor të vitit 2015. Misioni miratoi në nivel ekspertësh dy këste kredie për Shqipërinë, pjesë e marrëveshjes së bashkëpunimit.

Përfaqësues të FMN-së deklaruan se gjithçka po ecte sipas planit, të dhënat kryesore të ekonomisë po fitojnë qëndrueshmëri dhe reformat strukturore po japin rezultatet e para. Ndërkohë, një mision i Fondit pritet të mbërrijë shumë shpejt në vendin tonë, ku në qendër të diskutimeve me autoritet më të larta të financave publike do të jenë sërish reformat strukturore. Mësohet se takimi i ardhshëm mes palëve do të ketë fokus reformat strukturore, por edhe ecurinë në luftën kundër informalitetit. Reformat strukturore kanë marrë vlerësime pozitive nga shoqëritë ndërkombëtare. Në fillim të këtij muaji, kompania e vlerësimit financiar, Standard & Poor’s përmirësoi vlerësimin e borxhit të Shqipërisë nga niveli B në B+, me perspektivë të qëndrueshme.


Redaksia Online
(E.Ç./shqiptarja.com)


 

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat

‘Ndryshime ligjore brenda 6 muajve’, Gogu prezanton raportin e PS për 'TIMS': Rishikim tërësor i akteve që mbrojnë të dhënat