KORCË- Shefi i qarkullimit të qarkut të Korçës, Ervin Dervishaj është pezulluar nga detyra bashkë me 7 policë pasi janë venë nën hetim për abuzim me gjobat e makinave.

Një hetim i nisur kohë më parë ka sjellë që gjykata të marrë këtë vendim si masë sigurimi gjatë kohës që ndodh hulumtimi për çështjen. 7 policët e pezulluar janë pjesë e Komisionit të gjobave të sektorit të qarkullimit, të cilët janë në komunikim të drejtpërdrejtë me gjobat e vëna ndaj shoferëve.

SHÇBA thotë se efektivët e policisë u pezulluan në kuadër të procedimit për veprën penale “Shpërdorim detyre”.

"Dyshohet se duke u favorizuar nga detyra që kanë kryer, kanë vendosur materiale fiktive në praktikat e vendimeve të Komisionit  të Shqyrtimit të Kundravajtjeve Administrative OASH, duke marrë vendime që nuk kanë qenë objekt i konstatimit të shkeljes nga punonjësit e Policisë në terren. Organi i OASH në menyrë të vazhdueshme ka marrë vendime fiktive duke argumentuar mbi fakte e rrethane, qe nuk përputhen me konstatimet e agjenteve verifikues, duke u bashkëngjitur praktika e dokumente të cilat dyshohet se jane fiktive. Kjo me qëllim zhbllokimin e mjeteve dhe lejeve te drejtimit, kundrejt shumave që përfitohen në mënyre të padrejtë", thuhet në njoftimin e SHCBA.

Nga hetimi me metoda speciale ka rezultuar se punonjësit me veprimet e tyre duke përdorur autoritetin e funksionit dyshohet se kanë ndikur në vendimmarrjen tek vartësit, për të tjetërsuar shkeljet e konstatuara në terren. Ndërkohë hetimet vazhdojnë.