Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit gjobiti dhe i pezulloi aktivitetin subjektit “Polyeco Albania” Sh.p.k pasi u konstatuan probleme në procesin e administrimit, klasifikimit dhe transferimit të mbetjeve. Subjekti ishte paralajmëruar njëherë sipas ligjit të inspektimit ndërsa nga gjurmimi i rrugës së mbetjeve u konstatua se kishte kryer shkeljet ligjore.
Në vijim të gjurmimit, gjatë kontrollit të ushtruar nga Drejtoria e Inspektimit të Mjedisit dhe Ujërave pranë IKMT, u evidentuan shkelje të rënda ligjore që lidhen me mospërputhjen e klasifikimit të mbetjeve, dokumentacionit të transferimit dhe veprimtarisë së ushtruar jashtë kushteve të lejes/autorizimit përkatëse.
Subjekti ka regjistruar material të deklaruar si "karbon aktiv" që i përket absorbentëve dhe materialeve me substanca të rrezikshme, por verifikimi i natyrës dhe origjinës tregoi se ky kod nuk i përgjigjej karakteristikave reale të mbetjes.
Po ashtu u konstatuan mospërputhje ndërmjet kodeve të mbetjeve të regjistruara/transferuara nga subjekti dhe listës së kodeve të përcaktuara në kontratën e paraqitur me subjektin pritës.
Gjithashtu, subjekti ka pranuar dhe administruar mbetje të cilat nuk përfshihen në lejen/autorizimin e tij të veprimtarisë.
Në mbështetje të Ligjit Nr. 57/2025 "Për menaxhimin e integruar të mbetjeve" dhe Ligjit Nr. 99/2024 "Për inspektimin në RSH", IKMT mori masë administrative me gjobë dhe pezullim aktiviteti të menaxhimit të mbetjeve deri në eleminimin e shkeljeve të konstatuara dhe garantimin e përputhshmërisë së plotë me lejen përkatëse.











Komente
Komento