Sipas ekspertimit të SPAK-ut, ndërtimi i Tunelit të Llogarasë i shkaktoi shtetit rreth 80 milionë euro dëm ekonomik, pasi fondi limit i tenderit u përllogarit me çmime të fryra, ndërsa gjatë zbatimit të kontratës u miratua një preventiv i rishikuar me volume punimesh dhe çmime të fryra.

Rreth 21 milionë euro lidhen me çmimet e fryra në preventivin fillestar, mbi të cilin u caktua fondi limit i tenderit. Rreth 59 milionë euro të tjera lidhen me preventivin e rishikuar gjatë punimeve, ku sipas prokurorisë u miratuan volume dhe çmime të fryra pa shqyrtimin teknik dhe verifikimet e nevojshme.

Sipas SPAK-ut, Belinda Balluku në atë kohë ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, e ndoqi dhe e orientoi tenderin nga përgatitja e kritereve deri te lidhja e kontratës, edhe pse ia kishte deleguar formalisht kompetencat sekretarit të përgjithshëm të ministrisë.

Prokuroria thotë se ndërhyrjet synonin paracaktimin e fituesit dhe se komisioni shpalli fitues bashkimin e kompanive Intekar Yapi dhe Asl Insaat, megjithëse ato nuk plotësonin kriteret e tenderit.

Njoftimi i SPAK për “Ndërtimin e tunelit të Llogarasë” në seksionin rrugor Orikum-Himarë pjesë e autostradës SH8(Vlorë-Sarandë);

Fondi limit – 18 967 810 952.08 lekë pa TVSH (tetëmbëdhjetë miliardë e nëntëqind e gjashtëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dhjetë mijë e nëntëqind e pesëdhjetë e dy pikë zero tetë).

Sipas hetimeve, e pandehura Belinda Balluku, në detyrën e Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, megjithëse kishte deleguar formalisht përgjegjësitë e titullarit të autoritetit kontraktor te Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ndjekur dhe orientuar në mënyrë të vazhdueshme të gjithë procedurën e prokurimit. Kjo përfshin fazën përgatitore, zhvillimin e procedurës, dorëzimin dhe vlerësimin e ofertave, deri në lidhjen e kontratës. Qëllimi i këtyre veprimeve ka qenë paracaktimi dhe favorizimi i operatorit ekonomik fitues, bashkimi i operatorëve; “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”.

Për të realizuar këtë qëllim, e pandehura Belinda Balluku ka mbajtur kontakte të rregullta me të pandehurin Evis Berberi, (fillimisht këshilltar i Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, më pas, Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar) lidhur me përcaktimin e kritereve të vendosura në dokumentacionin standard të tenderit. Ajo, gjithashtu, ka mbajtur kontakte të rregullta me përfaqësues të shoqërisë fituese, bashkimi i operatorëve; “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”, gjatë kohës kur kjo e fundit përgatiste dokumentacionin e pjesëmarrjes në procedurën e prokurimit. Kontaktet me të pandehurin Evis Berberi kanë vijuar edhe gjatë fazës së dorëzimit, vlerësimit të ofertave dhe vendimmarrjes së Komisionit të Vlerësimit të Ofertave për shpalljen e operatorit ekonomik fitues, deri në momentin kur është lidhur kontrata.

Anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica kanë shpallur fituesin e kësaj procedure prokurimi, bashkimin e operatorëve ekonomikë, “Intekar Yapi Tur. Elekt. Ins. San. Ve Tic. Ltd. Sti dhe Asl Insaat Taahhut Ve San.San.Tic. Ltd. Sti. JV”, pa plotësuar kriteret e vendosura në dokumentet standarde të tenderit.

Në lidhje me përcaktimin e fondit limit, e pandehura Viola Haxhiademi në bashkëpunim me të pandehurin Ergys Verdho dhe të pandehurin Genti Raça, si persona përgjegjës për shkak të funksionit të tyre, miratuan preventivin në kundërshtim me ligjin, me çmime të fryra, në kundërshtim me manualet teknike të miratuara përmes VKM nr.629, datë 15.7.2015 “Për miratimin e manualeve teknike të çmimeve të punimeve të ndërtimit dhe analizave teknike të tyre”, i ndryshuar.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga akti i ekspertimit teknik-ndërtimi kryer gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se fondi limit është përllogaritur në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit, në vlerën 2 006 535 459.99 (dy miliard e gjashtë milion e pesëqind e tridhjetë e pesë mijë e katërqind e pesëdhjetë e nëntë milion pikë nëntëdhjetë e e nëntë) lekë.

Në lidhje me procedurën për miratimin e projektpreventivit të rishikuar gjatë zbatimit të kontratës me objekt: “Për ndërtimin e tunelit të Llogarasë”, kanë rezultuar veprime të kundraligjshme të personave përgjegjës të autoritetit kontraktor; Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si edhe Autoritetit Rrugor Shqiptar, institucion në varësi të saj.

Në lidhje me procedurën e miratimit të preventivit të rishikuar, rezulton se e pandehura Viola Haxhiademi, në bashkëpunim me të pandehurit Gentian Gjylin, Genti Raçën, Adja Strazimirin, Anila Sulollarin dhe Adrian Kroin, kanë miratuar në kundërshtim me ligjin preventivin e rishikuar gjatë zbatimit të kontratës me objekt: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë”. Miratimi i preventivit të rishikuar është bërë në kundërshtim me ligjin, me volume dhe çmime të fryra, pa iu nënshtruar shqyrtimit teknik të sektorëve përkatës të Autoritetit Rrugor Shqiptar, pa kryerjen e verifikimeve të duhura për të argumentuar volumet dhe çmimet, pa pasur një analizë teknike për këtë preventiv.

Nga provat e administruara, mbështetur edhe nga akti i ekspertimit teknik-ndërtimi, kryer gjatë hetimeve paraprake, ka rezultuar se preventivi i rishikuar është miratuar në kundërshtim me ligjin, duke i shkaktuar një dëm ekonomik shtetit, në vlerën 5 477 232 724.67 (pesë miliardë e katërqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e dyqind e tridhjetë e dy mijë e shtatëqind e njëzet e katër pikë gjashtëdhjetë e shtatë) lekë.


Lajmi kryesor:

SPAK çon për gjykim dosjen Balluku: Kuvendi na vuri kufi për një kërkesë të re për arrestimin e saj! 10 tenderë me vlerë 400 mln € të manipuluar, fraksion për prokurime të tjera! EMRAT e 28 të pandehurve