Shkëmbim letrash mes Phenianit dhe Moskës, angazhohen për forcim bashkëpunimi

Shkëmbim letrash mes Phenianit dhe Moskës, angazhohen për forcim bashkëpunimi

Kim Jong Un dhe Putin

Udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, dhe Presidenti rus Vladimir Putin shkëmbyen letra këtë të martë, në të cilat zotoheshin të forcojnë marrëdhëniet mes dy vendeve, të cilat udhëheqësi Kim i cilësoi "marrëdhënie strategjike afatgjatë", njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve të Phenianit, KCNA.

Shkëmbimi i letrave vjen ndërsa shënohet 78-vjetori i çlirimit të Koresë nga sundimi kolonial i Japonisë nga vitet 1910-1945, që njihet gjithashtu si festë kombëtare në Korenë e Jugut.

Në letrën e tij drejtuar Presidentit Putinit, udhëheqësi i Koresë së Veriut shprehet se miqësia mes dy vendeve u krijua në Luftën e Dytë Botërore me fitoren mbi Japoninë dhe tani "po tregon se është plotësisht e pathyeshme dhe dëshmi e forcës së dy vendeve në luftën për shkatërrimin e praktikave arbitrare të imperialistëve", njoftoi agjencia KCNA.

"Unë jam plotësisht i bindur se miqësia dhe solidariteti ... do të forcohen më tej në një marrëdhënie strategjike afatgjatë në përputhje me kërkesat e epokës së re," citohet të ketë thënë udhëheqësi Kim në letër.

Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar Korenë e Veriut se i ka ofruar Rusisë armë për luftën e saj në Ukrainë. Pheniani dhe Moska I kanë hedhur poshtë akuzat.

Uashingtoni mbetet “thellësisht i shqetësuar” për ndihmën e Koresë së Veriut në agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe beson se Moska po kërkon të rrisë bashkëpunimin e saj me Phenianin, tha të martën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Vedant Patel.

“Çdo lloj bashkëpunimi për sigurinë apo marrëveshje armësh mes Koresë së Veriut dhe Rusisë sigurisht që do të shkelte një sërë rezolutash të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha zoti Patel gjatë një konference për shtyp.

Në një zhvillim tjetër, agjencia KCNA njoftoi se Zëvendësministri i Jashtëm i Phenianit, Kim Son Gyong, kritikoi Shtetet e Bashkuara për thirrjen e një takimi të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për situatën e të drejtave të njeriut në Korenë e Veriut.

Takimi, i caktuar për të enjten dhe i kërkuar nga Shtetet e Bashkuara, Shqipëria dhe Japonia, do të ishte mbledhja e parë zyrtare publike e këshillit 15 anëtarësh për këtë çështje që nga viti 2017, por Kina e kundërshtoi atë, duke thënë se ajo vetëm do të "intensifikonte konfrontimin"./VOA

G.MO/S.S/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A duhet prokurorëve të SPAK-ut t'u jepet e drejta e rikandidimit?



×

Lajmi i fundit

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë

Një letër për studentin e gazetarisë në kohën e marrëzisë