Ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Agim Nesho bëri një përmbledhje të negociatave të fshehta për shkëmbimin e territoreve Kosovë-Serbi dhe si i shikon ai në syrin e diplomatit në marrëdhëniet me jashtë. I ftuar në emisioni "5 pyetje nga Babaramo" në Report Tv, Nesho bëri një pasqyrim sipas tij se çfarë përfitonin  nga kjo marrëveshje tre personazhet kryesore të kësaj negociate, Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Edi Rama.

Nesho tha se lideri serb, në ndryshim nga dy liderët shqiptarë, ndjek një politikë të mirëpërcaktuar nga Beogradi shumë vite më parë, ndërsa Rama e Thaçi bëjnë një politikë të personalizuar dhe jo të strukturuar.

"Nëse liderët shqiptarë veprojnë duke e personalizuar politiken e tyre dhe bëjnë improvizime personale, nga ana tjetër Vuçiç zbaton një program të zyrës së Beogradit të përcaktuar vite me pare, nuk bën politikë personale dhe për këtë ai ka ditur të fitojë pikë tek Perëndimi dhe t'i sjellë të gjitha çështjet në interes të Serbisë", tha Nesho.

Se çfarë fiton Vuçiç nga shkëmbimi i territoreve, për Neshon ishin dy arsye: e para del si hero duke i kthyer vendit një pjesë të asaj që humbën në vitet 2000 dhe e dyta krijon precedentin të shkëmbimit të territoreve edhe për vendet në rajon ku përbërja etnike është një nga shkaqet kryesore të krizave.

"Vuçiç realizon me marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve një zgjidhje që e kthen atë në hero duke i kthyer një pjesë të asaj që humbën në 2000. Gjithashtu ai krijon precedentin edhe për vendet e tjera në rajon ku etniciteti është një nga probleme kanceroze shekullore dhe problem i krizave të ndryshme. Ky precedent prek dhe themelin dhe ato principe për të cilat Europa dhe bota mbajnë dhe këmbëngulin për të ruajtur rendin. Vuçiç po luan një politikë inteligjente dhe kjo bie në kundërshtim me interesat tona", tha Nesho.

Në lidhje me Thaçin dhe Ramën, për ish ambasadorin Nesho ishte se ato dëshironin të krijonin figurën e "baballarëve të kombit" dhe bashkimit të faktorit shqiptar duke luajtur me nacionalitetin për të fshehur konsumin e tyre politik.

"Politika kosovare në vend që të mblidhte prova për pastrimin etnik dhe genocidin që bën serbët e harruan nga entuziazmi dhe sot vuajnë në Gjykatën Speciale ku përballen me akuza për krime lufte. Politika serbe shfrytëzoi rastin dhe nga i akuzuar për vrasje, po hiqet si të përvuajtur dhe po ngrenë raste për të sensibilizuar ndërkombëtare se janë dhe shqiptarët që kanë bërë krime. Viktimë e kësaj ra dhe Thaçi. Konsumi politik i Thaçit dhe Ramës  dhe çështja e nacionalizmi bënë gjetjen e tille që shqiptarët t'i përjetonin si  baballarët e kombit. E nisën me bashkimin e Shqipërisë duke vendosur që ajo të bëhej në Bruksel me integrimin e tyre në BE dhe më pas hodhën një hap naiv me ndryshimin e territoreve, duke harruar se ndryshimi i tyre nuk bëhet me vullnetin e  lojtarëve lokal, por të shtyrë dhe nga interesat e Vuçiç e paraqitën si një marrëveshje. Ndërsa Rama ka gabuar në vijimësi duke rënë pre e të gjithë iniciativave  të njëpasnjëshme të projektit serb për Ballkanin. Minishengen është i shtyrë nga interesa serbe, që Kosova të anashkalohej. Rama dëshironte të luante si faktor për bashkimin e shqiptarëve e bashkuar kjo me maninë e madhështisë për të bërë gjera të mëdha", tha Nesho.