Llixhat e Sarandoporit në Leskovik janë të famshme dhe vizitohen gjatë verës nga vendas e të huaj, por askush nuk e dinte se në thellësi të kanionit fshihej një liqeni i madh nëntokësor. Zbulimi i jashtëzakonshëm është kryer nga një grup shkencëtarësh çekë, të cilët me pajisjet dhe teknologjinë e fundit kanë kryer kërkime në periudha të ndryshme nga 2021 e deri më sot dhe kanë dalë me një studim, të publikuar në mediat çeke. Në studim thuhet se uji i liqenit është i ngopur me sulfur hidrogjeni, i cili, në kontakt me ajrin oksidohet dhe prodhon acid sulfurik që e kthen vazhdimisht shkëmbin gëlqeror në gips të butë. Ekipi kërkimor pretendon si ky është liqeni termal nëntokësor më i madh në botë me gjatësi 138 m, 42 m gjerësi dhe perimetër 345 m. Temperatura e ujit të liqenit shkon në 26 gradë.

Richard Bouda, fotograf dhe speleolog, ka përshkruar për mediat çeke se si u bë zbulimi i këtij liqeni nëntokësor në Jug të Shqipërisë, afër kufirit me Greqinë.

“Gjatë eksplorimit fillestar, ne krijuam një hartë bazë duke përdorur pajisjet që kishim. Falë Fondacionit Neuron, kemi blerë një skaner-celular LIDAR, i cili na lejonte të matim të gjithë shpellën dhe të gjithë zonën e liqenit. Ne do të bashkëpunojmë edhe me hidrologët të cilët do të matin pjesën nënujore të  liqenit duke përdorur sonar, një sistem për zbulimin e objekteve nën ujë duke emetuar impulse zanore dhe duke matur kthimin e tyre pas reflektimit”.

Ky është një ndër zbulimet më të mëdha gjeologjike, ndërsa ekspedita çeke pritet të rikthehet në Leskovik brenda muajit mars. Burime nga Ministria e Mjedisit thanë se ende nuk janë njohur zyrtarisht me të dhënat e këtij studimi që është kryer vetëm nga çekët dhe nuk ka pasur eksperte shqiptarë. 

Brenda luginave të zonave kufitare malore midis Greqisë dhe Shqipërisë, shkencëtarët çekë kanë eksploruar prej disa vitesh situatën komplekse nën tokë. Në rajonin e Vromonerit, në anën shqiptare të kufirit, ata zbuluan në një sistem të gjerë shpellash në vitin 2021, të cilat që atëherë i kanë eksploruar në detaje.