Ka shkuar në 8 numri i viktimave pas shembjes së masivit të akullit. Raportohet për 8 të plagosur, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë, ndërsa 13 persona rezultojnë të zhdukur. Një alpinist austriak ka arritur të shpëtohet.
Masivi i akullit u shlkëput një ditë më parë, ndërkohë që sot ka ndodhur një shembje e re e vogël gjatë pasdites. Kryeministri italian Mario Draghi kishte planifikuar një vizitë në Marmolada, por për shkak të motit të keq helikopteri nuk mundi të ulet. Kryeministri u ndal në Canazei, ku takoi disa familjarë të viktimave të fatkeqësisë së Marmoladës.
Parlamenti Europian mbajti sot një minutë heshtje në nder të viktimave në Marmolada, si edhe për tre personat e vrarë dje nga një sulm me armë në Kopenhagën.
"Ne jemi mbledhur sot këtu pas të shtënave të tmerrshme, jemi pranë familjeve të viktimave dhe popullit danez" dhe "kemi parë gjithashtu lajmin e tmerrshëm për shembjen e një akullnaje në Marmolada. Shpreh sinqerisht ngushëllime në emër të Parlamentit Europian”, tha presidentja Roberta Metsola, duke kërkuar një minutë heshtje në sallë.
Kërkimet për gjetjen e personave të zhdukur vijojnë ende teksa, ekipet e shpëtimit që ndodhen ende në terren thonë se kërkimet janë shumë të vështira për shkak të akullit.
“Nuk gërmojmë dot sepse akulli është ngjeshur fort dhe për këtë arsye nuk kemi më asgjë me dorë”.
Dy ditë më parë në Marmolada u arrit temperatura rekord, rreth 10 gradë celsius.