SHKODER- Nga Shkodra, ku është zhvilluar sot akvitetiti për 23 vjetorin e themelimit të degës së Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka vijuar akuzat ndaj qeverisë Rama-Meta për pasiguri, varfëri dhe taksa të larta. Kreu i PD-së tha se qeveria e Ramës ofron vetëm gënjeshtrën dhe mashtrimin. Sipas tij, për çdo dështim në mbajtjen e premtimeve nga ana e qeverisë ka vetëm një përgjegjës, që është kryeministri Rama.
 
“Ky vit është një mundësi e re. Qeveria mashtron, u kujtojnë shqiptarëve portretin e diktatorit. Premtuan 300 mijë vende pune, por pas 4 muajve asgjë. Premtuan ulje taksash, ku jemi sot! Çdo shqiptar do paguajë më shumë. Oferta e tyre është varfërim, mjerim dhe pasiguri. Morën një polici me standarde të përgatitur, por eliminuan profesionistët dhe rikthyen kuadrat famëkeq të spiunit. Ky është bilanci në 4 muaj. Ato po i njohin dhe aleatët tanë, po i njeh dhe BE prandaj s’jua dha statusin. Nuk futet në Europë një vend që zëvendëson ligjin me kodin e Ramës”, tha Basha.
 
Në aktivitetin e zhvilluar në kuadër të 23-vjetorit të themelimit të degës së kësaj partie në kryeqendrën e veriut, Basha në fjalën e tij iu referua pikërisht qytetarëve shkodranë, duke vlerësuar rolin e tyre dhe të Shkodrës në shembjen e diktaturës komuniste.
 
“Shkodra është themel i demokracisë, tempull i Partisë Demokratike.Rinia është shumicë në çdo përvjetor të saj, Shkodra ndezi pishtarin e lirisë.Përulemi me nderim para atyre që organizuan demonstratën anti-komuniste” u shpreh Basha.
 
Ndërkaq, kreu i PD-së bëri thirrje për bashkim dhe ripërtëritje të forcës politike që ai drejton, duke u thënë ëdemokratëve që të mos dekurajohen pasi do të rikthehen sërish tek fitorja.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)