Gjendja në territorin e Bashkisë Shkodër paraqitet në përgjithësi normale gjatë ditës së sotme përveç situatës në njësitë Administrative Malore.

Vazhdon rënia e reshjeve të bores në pjesën malore të Bashkisë së Shkodrës por deri në pjesën më të ultë të territorit.

Kalimi është i vështirë në territorin malor dhe rruga Prekal-Theth është e bllokuar në segmentin rrugor të Malit të Shoshit.

Rruga për në fshatin Bruçaj, Njësia Administrative Pult është e bllokuar.

Po ashtu të bllokuara janë edhe rruga e fshatit Mazrek dhe Shpor në Njësinë Administrative Gur i Zi.

Furnizimi me energji elektrike paraqitet normal përveç ndërprerjes se përhershme në disa fshatra të Njësisë Administrative Pult.

Procesi mësimor ka vazhduar rregullisht në pjesën më të madhe të territorit, në disa shkolla me numër të reduktuar nxënësish. Përjashtim bëjnë shkollat në NJA Shalë, Pult dhe Shosh ku procesi është i ndërprerë tërësisht me ndonjë përjashtim të vogël.

Rrjetet e tjera te shërbimeve publike kane funksionuar normalisht.

Nuk ka patur raste të emergjencave mjekësore për ditën e sotme.

Në NJA Pult është lajmëruar bllokimi apo nevoja e disa fermerëve për bazë ushqimore për kafshët.

Bazuar në informacionet e IGJEUM, vlerësohet se me vazhdimin e reshjeve si dhe për shkak të rritjes së pritshme të temperaturave gjate ditëve të ardhëshme, mund të ketë prurje të mëdha në bazenet ujëmbledhës të lumenjëve Drin e Buna. Duke parashikuar edhe shkarkimet e mundshme nga hidrocentralet, mund të krijohen probleme në disa fshatra të NJA Gur i Zi, Ana e Malit dhe Dajç të Bashkisë Shkodër. Po ashtu edhe përrenjtë malorë mund te kenë prurje te mëdha, gjithmonë sipas parashikimeve nga IGJEUM.

s.k/Shqiptarja.com