SHKODER - Vetëm në pak vite lumi Kir rrezikon të humbasë shumëçka nga natyrshmëria e tij. Prej vitesh një prej lumenjve më të rëndësishëm të Shqipërisë është lënë pothuajse totalisht në harresë. Në lumin kir shumë faktorë rrezikojnë ta gllabërojnë ashtu siç ka ndodhur në këto 25 vite. Dëmet që ka pësuar ndër gjithë këto vite janë të mëdha dhe absolutisht me një kosto të pallogaritshme për të gjithë ne. Harresa, anashkalimi, neglizhenca apo ndonjëherë edhe abuzimi kanë bërë që lumi Kir të tretet gradualisht pa e kuptuar.

Erozioni
Një prej problemeve kryesore që çdo ditë po ja merr frymën lumit Kir është erozioni. Ndër vite dëmet që ka sjellë fenomeni natyror i erozionit janë shumë të mëdha. Mjafton një gjiro e thjeshtë përgjatë bregut të lumit Kir deri në zonat e thella malore për të kuptuar se sa shumë problem ka shkaktuar erozioni në atë lum. Me tonelata material të ndryshme, kryesisht gurë por edhe dheu janë zhvendosur nga zonat malore për të përfunduar deri në fundin e gjatësisë së atij lumi. Këto shndërrime gjatë gjithë këtyre viteve kanë bërë që rrjedha normale e këtij lumi ndonjëherë edhe të ndryshojë. Tashmë rrjedhat e atij lumi janë të shpërndara në disa nëndegë të vogla vetëm si shkak i sasisë së madhe të gurëve apo dheut që janë grumbulluar vetëm si shkak i erozionit.

Një zgjidhje absure apo justifikim që është përdorur është ai i dhënies së lejeve mjedisore dhe të shfrytëzimit për firma të ndryshme për minimizimin e sasisë së materialeve që erozioni i shkakton. Madje kjo mënyrë të vepruarit nga institucionet përgjegjëse ndër vite është cilësuar edhe si pastrim. Në fakt këto firma më shumë se e kanë pastruar nga materialet e kanë dëmtuar duke marrë zhavor për ta tregtuar më pas tek firmat e ndërtimit. Në këtë mënyrë asnjëherë nuk ka patur një ndërhyrje serioze për të minimizuar dëmet që erozioni shkakton sepse kuptohet që është një fenomen i pashmangshëm.

Mbeturina pa kriter
Lumi Kir sidomos në pjesën poshtë urës së Bardhajve është i tejmbushur me një sasi shumë të madhe mbetjesh. Ashtu si erozioni edhe mbeturinat kanë pushtuar lumin Kir thuajse në çdo pjesë të tij. Në gjithë këto vite aksionet për pastrimin e tij kanë qenë shumë të pakta krahasuar me nevojën që ka. Asnjëherë në fakt nuk është menduar seriozisht që ai lum të pastrohet dhe që të rehabilitohet për ta ruajtur dhe për ta mbrojtur.

Mbeturinat çdo ditë ndotin në një sasi të konsiderueshme lumin Kir. Janë edhe vetë qytetarët e pandërgjegjshëm të cilët zgjedhin lumin për të hedhur mbeturinat. Gjithsesi ndëshkimi nga ana e institucioneve ka munguar qoftë për mospastrimin e territorit por edhe për ata qytetarë që hedhin mbetjet në lumin Kiri. Përveç mbeturinave ka edhe një sasi të madhe të materialeve inerte duke qenë se është një zonë ku përreth saj ndërtohen objekte ditë pas dite. Jo rrallë herë vetë banorët duke mos patur zgjidhje tjetër ndezin zjarre për të djegur mbeturinat duke rritur ndjeshëm dëmin mjedisor.
Komuna Rrethina, kryekomunari Harusha: S’kemi fonde

Kryetari i Komunës Rrethina, territor në të cilin bën pjesë lumi Kir deklaron se nuk ka fonde mjaftueshëm për ta pastruar ashtu siç duhet. Nga ana tjetër kryemunari i Rrethinave tregon se është një projekt në dyert e Qeverisë por që ende nuk është financuar. ”Atëherë kur kemi patur mundësi kemi ndërhyrë për pastrimin e lumit Kir. Për ta pastruar totalisht dhe për të shmangur çdo problem që ka ne si komunë nuk kemi fondet e duhura. Është një investim shumë i madh që vetëm qeveria ose donatorët e huaj mund ta bëjnë. Unë kam kohë që kam dërguar një projekt për lumin Kir në dyert e Qeverisë por deri tani ka qenë e pamundur që të financohet sepse natyrisht ka një kosto jo të vogël. Jemi në pritje dhe shpresojmë që ai projekt të financohet sepse lumi Kir është i rëndësishëm për ne”-deklaroi kryekomunari Harusha.

Imazhi aspak i mirë në sytë e turistëve
E gjithë ajo panoramë zhgënjyese që të ofron lumi Kir menjëherë kapet nga syri i turistëve të huaj. Me mijëravë turistë të huaj gjatë sezonit turistik kalojnë në atë segment dhe përballen me shkatërrimin, mbeturinat dhe katastrofën e lumit Kir si shkak i harresës dhe dëmeve që i janë shkaktuar gjatë këtyre 25 viteve. E nëse një turist zgjedh të ndalet imazhi që përfton nuk është aspak i mirë. E nëse shkrep edhe ndonjë foto për ta arkivuar atëherë është një minus i madh sepse jo rrallë herë foto të tilla të turistëve që janë shkrepur në të tilla zona problematike por që kanë resurse për sezonin turistik janë shfaqur në portale të ndryshme botërore duke ndikuar drejtpërdrejtë në mënyrë negative.

Ura e Bardhajve në kushte të mjerueshme!
Ura e fshatit Bardhaj në Komunën Rrethina që ndodhet mbi lumin Kir është një makth për ata që kalojnë çdo ditë aty. Prej shumë vitesh asnjëherë në atë urë nuk është investuar seriozisht për ta rikonstruktuar ashtu siç duhet. Ura është tejet e amortizuar teksa është e mbushur me gropa të mëdha që ia vështirësojnë shumë punën banorëve të shumtë që përshkohen ashtu. Hekurat e urës sidomos për fëmijët e vegjelë janë totalisht të pasigurtë. Në shumë pjesë ka çarje të tubave dhe po ashtu kudo mbizotëron ndryshku që është krijuar ndër vite. Ndonëse jo në një gjatësi të madhe ura e Bardhajve nuk ka asnjë lloj sigurie sidomos për mjetet motorike që kalojnë aty.

Mjaftojnë pak minuta për të qëndruar mbi urë dhe frikësohesh sepse sa herë kalojnë mjete, sidomos furgonët, ura dridhet jo pak sikur të jetë ndonjë tërmet i vogël vetëm si shkak i pasigurisë dhe amortizimit total të saj. Po ashtu poshtë saj në shumë pjesë infrastruktura e asaj ure tregon qartë se nuk ka aspak siguri. Është e dëmtuar në shumë pjesë të saj dhe fare qartë dallohet se kanë munguar investimet. Shpesh herë banorët kanë bërë apel që të rikonstruktohet ajo urë por ndërhyrjet që janë bërë kanë qenë momentale dhe situata ka agravuar sërish duke rikthyer rreziqet.

Ndotja e puseve të ujit si shkak i mbeturinave!
Në shumë zona përreth ku kalon lumi Kir dhe që shërben edhe si burim për ujin e pijshëm për qindra banor ndotja është e madhe dhe po ashtu e rrezikshme. Si shkak i përzierjes me një sasi të madhe mbeturinash e mbetjesh nga më të ndryshmet, uji nuk është i pastër. Edhe pse me sasi të konsiderueshme të ndotjes, banorët në pamundësi të sigurimit të rrjetit të ujësjellësit nga institucionet detyrohen që përmes shpimeve të marrin ujë nga puset nëntokësore. Ky ujë buron pikërisht nga lumi Kir dhe shkon ndër këto puse ashtu i ndotur dhe konsumohet nga qindra banorë sepse nuk kanë një zgjidhje tjetër. Jo rrallë herë ka patur persona të infektuar nga ndotja e ujit por çdo gjë ka rënë në vesh të shurdhër dhe gjendja ka vijuar të jetë e njëjtë.

Nëse situata nuk ndryshon dhe vazhdon ndotja e lumit Kir, djegia e mbeturinave në lum apo lënia në harresë e urës së Bardhajve dhe zonave tjera aty pranë atëherë banorët janë të kërcënuar nga një sërë problematikash që duhet të marrin zgjidhje sa më shpejt. 

Shkrimi u botua ne gazeten Shqiptarja.com 8 Maj 2015
 
Redaksia Online
(d.b/Shqiptarja.com)