SHKODER – Policia e rrethit të Shkodrës ka arrestuar ditën e sotme kryetarin e komunës Rrethinë të këtij qyteti, Kleves Muja, pasi akuzohet për trafik ndërkombëtar droge. Arrestimi i 38-vjeçarit u krye pasi ai ishte shpallur në kërkim nga drejtësia italiane.

Kleves Muja fitoi në zgjedhjet e fundit lokale të zhvilluara në vend, si kandidat i Partisë Socialiste. Përpara hyrjes së tij në politikë Muja ishte një personazh i njohur për forcat e rendit për krime të ndryshme.

Vetëm pak ditë më parë ndaj tij prokuroria e qytetit verior ka nisur një procedim penal për një tjetër vepër penale. Muja ka goditur drejtorin e ujësjellësit të disa fshatrave të Shkodrës, Flauers Shoshin.

Arrestimi i Mujës u krye në lagjen Rus të qytetit të Shkodrës në momentin kur ai ishte kthyer nga zyra dhe po dilte nga automjeti i tij. Masa e arrestit i është komunikuar në ambientet e policisë dhe më pas kryetari i komunës Rrethinë është nisur nga forcat blu drejt Tiranës.

(im/shqiptarja.com)