SHKODER- Dy persona mbetën të plagosur  nga shpërthimi i një bombole gazi në Shkodër. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen “Xhabije”, rreth orës 11:30 të paradites së sotme, në momentin kur dy persona po montonin bombolën e gazit. Si pasojë e një pakujdesie bombola e gazit ka shpërthyer, ndërsa nga shpërthimi kanë mbetur të plagosur Agim Çoku, 59 vjeç dhe Qerim Çela 42 vjeç.
 
Sipas dëshmitarëve në vendngjarje 42-vjeçari kishte sjellë bombolën e gazit në banesën e Çokut dhe kishin dalë në pjesën e ballkonit për ta montuar, por në momentin që i janë afruar, bombola ka shpërthyer menjëherë.
 
Për pasojë Çoku dhe Çela kanë marrë plagë në të gjithë trupin nga shpërthimi i bombolës së gazit dhe janë dërguar menjëherë në urgjencën e spitalit rajonal të Shkodrës, ku mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
 
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e zjarrfikësve të cilat pasi kanë nxjerrë nga banesa dy të plagosurit kane ndërhyrë duke shuar zjarrin që është shkaktuar në ballkonin ku ka shpërthyer bombola e gazit.
 
Pranë banesës së Çokut ka mbërritur edhe grupi hetimor, dhe nga sa bëhet e ditur, dyshohet se shkak i shpërthimit ka qenë rrjedhja e gazit nga bombola, i cili në kontakt me llambën elektrike ka shpërthyer.
 
Bombolat e gazit të cilat qarkullojnë në duart e qytetarëve për t’u përdorur për ngrohje apo gatim, janë një rrezik potencial i paparashikuar për ta.
 
Në shumë raste bombolat e gazit kanë qenë shkaktarët kryesorë të tragjedive të ndodhura, dhe kjo për shkak se një pjesë e bombolave tregtohen pa asnjë kontroll.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)