Policia e Shkodrës ka gjetur armën e zjarrit ku një 56-vjeçar së bashku me dy djemtë e tij qëlluan në ajër si shenjë kërcënimi për fqinjin e tyre.
Arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Ngjarja fatmirësisht pa pasoja u regjistrua në fshatin Trush dy ditë më parë.
56-vjeçari së bashku me një nga djemtë e tij u arrestuan, ndërkohë djali tjetër ndodhet ende në arrati.
Njoftimi i policisë:
Në vijim të hetimeve që po kryhen për dokumetimin e ngjarjes së ndodhur 2 ditë më parë, në fshatin Trush, ku 3 shtetas dyshohet se qëlluan në ajër, me armë zjarri dhe me armë gjahu, për të kanosur fqinjin e tyre, shtetasin P. N., për motive të dobëta, bëjmë me dije se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, gjatë kontrollit të territorit në pronësi të shtetasit kanë bërë të mundur gjetjen e armës së zjarrit pistoletë të përdorur në këtë ngjarje, të cilën autorët e dyshuar e kishin fshehur afër banesës së tyre.
Arma e zjarrit do të dërgohet në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminim, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale.
Dy ditë më parë policia sekuestroi dy armë gjahu dhe vuri në pranga shtetasit Ç. M., dhe D. M.,(babë e bir), gjithashtu, u shpall në kërkim dhe djali tjetër shtetasi E. M., në territorin në pronësi të shtetasit Ç. M.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Komente





