Një ditë pas vrasjes së punonjësit të OSHEE-së në fshatin Oblike të Shkodrës, banorët shprehen të traumatizuar për ngjarjen e ndodhur. Sipas banoreve , Zamir Velaj ishte një person i qetë pa problem, dhe se ajo që i ndodhi atij ishte një fatkeqësi, pasi punonjësi i OSHEE-së po kryente detyrën e tij.

"Sot nuk jam në terezi. Është njësoj sikur të kishte vdekur djali im. Ai është vrarë kot, nuk kishte faj. Ishte djalë me kulturë dhe edukatë", është shprehur njëra nga banoret. Ndërkaq një tjetër thotë: "Ai s'ishte njeri i keq. S'kemi pasur pse të kishim hatërmbetje me të pasi ai ishte thjeshtë punëtor".

Zona e Oblikës në njësinë Administrative Ana e Malit vijon të mbetet debitore ndaj OSHEE-së, ndërsa dhjetëra familjeve u është ndërprerë energjia elektrike prej ditësh. Ndërprerje të tilla kanë ndodhur edhe më parë në këtë zonë, ku para pak kohësh banorët bllokuan rrugën në shenjë proteste, ndërsa seria e ngjarjeve kulmoi me vrasjen e punonjësit Zamir Velaj.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com