SHKODËR – Ka nisur sot, aksioni, për shembjen e 35 objekteve, mes tyre edhe 10 shtëpive. Mes dhjetra forcave të policisë së rendit dhe ndërhyrjes së shpejtë, inspektoriati ndërtimor i bashkisë ka nisur punën për shembjen e godinave që pengonin projektin e bashkisë së Shkodres për ndërtimin e një pjese të unazës lindore dhe lidhjes së saj me unazën perendimore.

Aksioni ka nisur pranë godinës së Drejtorisë së Policisë për të vijuar me pas në zonën e mëhallës së re në metropolin verior. Kjo ndërhyrje është ndjekur edhe nga shefi i Inspektoriatit ndërtimor pranë bashkisë, Arben Kallaçi, i cili ka deklaruar se gjatë aksionit për prishjen e ndërtimeve me dhe pa leje nuk është shënuar ndonjë incident apo konflikt me banorët e zonës.

Prishja e 35 objekteve do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte ndërsa pas prishjes procesi do të vazhdojë me pastrimin e inerteve dhe nisjen e punimeve për ndërtimin e segmentit, që do t’i bashkohet më pas unazës lindore. Në këtë zonë do të ndërtohet një rrethrrotullim, që do të shërbejë për rregullimin e qarkullimit.

Redaksia online
(ar.sh/shqiptarja.com)