Shkodër- Grabiti nën kërcënimin e armës dhe më pas shantazhoi dy vëllezërit që t’i paguanin një shumë prej 20 mijë të reja lekësh për t’ua kthyer telefonin, arrestohet 32-vjeçari i dyshuar në Shkodër.
Policia vendore bëri sot me dije (3 Janar) se finalizoi operacionin e koduar “Return”, teksa sekuestroi si prova edhe shumën e lekëve që zhvati nga shantazhi dhe aparati celular.
I arrestuari është Zikjan Lela, 32 vjeç, lindur në Tiranë dhe banues në Shkodër.
“Ky shtetas, në lagjen “Qemal Stafa”, dyshohet se nën kërcënimin e armës, i ka marrë një celular E. M., 24 vjeç, i cili ishte së bashku me vëllanë e tij dhe më pas u ka kërkuar 20.000 lekë për kthimin e celularit. I dyshuari ka marrë paratë, por më pas nuk e ka kthyer celularin”, bëri me dije policia.
Hetimet për ngjarjen janë ende aktive, teksa policia ndau edhe pamje nga ky operacion. Dosja i ka kaluar Prokurorisë, për veprat penale “vjedhja” dhe “shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”