Katër persona janë arrestuar në Tiranë dhe tre të tjerë në Shkodër gjatë operacioneve kundër organizimit të basteve sportive online.
Gjatë operacionit ‘Bad Spin 10’, Policia e Tiranës zbuloi disa ambiente të përshtatura për këtë veprimtari të jashtëligjshme në zona të ndryshme.
“Gjatë këtij operacioni, bazuar në inteligjencën policore, janë identifikuar subjekte dhe shtetas që kryenin aktivitetin e paligjshëm të organizimit të lotarive të palejuara (baste sportive online) dhe të përshtatjes së ambienteve për këtë veprimtari të paligjshme, në zona të ndryshme të Tiranës.
![]()
Gjatë kontrolleve të ushtruara në këto subjekte, është bërë kapja dhe arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve të implikuar në këtë veprimtari kriminale: K. K., 34 vjeç, H. T., 33 vjeç, A. R., 31 vjeç, L. L., 24 vjeç, të gjithë banues në Tiranë”, njoftoi policia.
Edhe në Shkodër, u zbuluan dy lokale të përshtatura për vendosjen e basteve.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, nga kontrollet e vazhdueshme në ambiente të ndryshme, të kryera me qëllim goditjen e rasteve të organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, kanë konstatuar se në 2 lokale në Shkodër, organizoheshin lojëra fati (baste sportive).
Në vijim të veprimeve procedurale u arrestuan shtetasit V. Gj., 28 vjeç, D. D., 38 vjeç, V. K., 44 vjeç, të tre banues në Shkodër" informoi sot policia.
Po ashtu, u sekuestruan 10 aparate celulare që shërbenin për aktivitetin kriminal.

Bastet sportive online në Tiranë
Komente








