Pas abuzimeve seksuale dy javë më parë në Jetimoren e Shkodrës, tjetër skandal është regjistruar këtë të mërkurë në Qendrën e Zhvillimit Social po në këtë qytet. Tre të sëmura mendore, në moshë madhore, janë përdhunuar dhe më pas janë detyruar të abortojnë në mënyrë të paligjshme. Rasti është denoncuar fillimisht nga një emision investigativ, por mësohet se Prokuroria e Shkodrës ka qenë duke e hetuar skandaltin prej të paktën 3-javësh.

Sipas hetimeve të Prokurorisë, ka rezultuar se ndaj pacientëve me sëmundje të shëndetit mendor në këtë qendër është ushtruar dhunë sistematike.

Gjithashtu, nga hetimi ka rezultuar se tre femra në moshë madhore, paciente në këtë Qendër, kanë qenë shtatzënë dhe kanë abortuar në mënyrë të paligjshme. Ky rezultat ka dalë në bazë të akteve të ekspertimit mjeko-ligjor, të kërkuara nga ana e Prokurorisë së Shkodrës.

qendra shkoder
(Qendra e Zhvillimit Social në Shkodër)

Si rrjedhojë e zbardhjes së skandalit, Prokuroria ka urdhëruar arrestimin e Drejtoreshës së Qendrës së Zhvillimit Social në Shkodër, Juliana Cepi e infermieren e kësaj qendre, Aida Ymeraj, të dyshuara për veprën penale të "Shpërdorimit të Detyrës". 

Në bazë të hetimit të deritanishëm, Prokuroria e Shkodrës ka evidentuar si përgjegjës për trajtimin jo në mënyrën e duhur drejtoreshën Cepi dhe infermieren në këtë qendër, Ymeraj.