SHKODER - Megjithëse nuk kishte shumë që ishte dënuar për vrasje, ka arritur të sigurojë një leje për të shkuar pak ditë në shtëpi. Por nuk është kthyer më në burgun e Shën Kollit në Lezhë. Pas disa vitesh, kur kishte menduar se në këtë situatë kriminale, mund të ishte ende në liri e se policisë nuk do t’i shkonte mendja të merrej me të, është vënë në pranga.

Drejtoria e Policisë së Shkodrës ka njoftuar, se operacioni i koduar “Arratisja”, përfundoi me arrestimin e shtetasit Ilir Januz Rrustemi (Bajri), 37-vjeç, i dënuar nga gjykata me 15-vite burg në vitin 2006.

Sherbimet e Policisë së Qarkut Shkodër, të mbështetura nga 2 grupe të Komisariatit të Ndërhyrjes së Shpëjtë (FNSH), kanë mundur të finalizojnë me sukses operacionine nisur prej tyre për prangosjen e të kërkuarit. “Arrestimi i tij u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhë, ka dhënë masën e sigurisë “Arrest ne Burg”, për veprën penale te “Largim nga vendi i vuajtjes se dënimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Drejtorisë së Policisë në Shkodër.

Burime policore pohuan, se në momentin e arrestimit, në banesën e Ilir Rustemi Bajri është gjetur dhe sekuestruar edhe një  pistoletë tip “Bereta” e kalibrit 9 milimetër që e mbante pa leje. Por, veç arrestimit për dënimin e mbetur, si dhe për akuzën e moskthimint në burg, duket se ai do të jetë në hetim për ngjarje kriminale të ndodhura në Shkodër, gjatë kohës që ai ka qenë në arrati.

“Nga ana jonë po punohet intensivisht për dokumentimin e ngjarjeve të tjera të rënda, ku dyshohet, se mund të jetë i implikuar ky person, të cilat për arsye hetimi nuk bëhen të ditura”, sqaron policia. Ndërkaq, materialet i janë dërguar Prokurorisë për vazhdimin e hetimeve.

Veç Ilirit, policia ka vënë në pranga edhe vëllain e tij, Safet Rrustemi, 29 vjeç, banues në Shkodër. Arrestimi i tij është bërë, dhe është dhene masa e sigurisë  “Arrest në shtëpi”, për “Armëmbajtje pa leje”.

Zyrtarët e policisë së Shkodrës kanë pohuar për “Shqiptarja.com”, se Ilir Rrustemi Bajri, rreth orës 01.20 të 4 gushtit të vitit 2006, ka vrarë Pal Kosterin, pranë banesës së tij, në fshatin Stom-Golem, pak metra larg Urës së Bardhajve.

Vrasja pati ndodhur pas një konflikti të dy autorëve me dy nga djemtë e viktimës, që janë pronarë të një lokali në Velipojë. Autori kishte frekuentuar lokalin në Velipojë dhe në gjendje të pirë ka shkaktuar trazira në të. Kjo ka bërë që pronarët, djemtë e viktimës t’i kërkojnë Bajrit të mos vinte më në lokalin e tyre, pasi po u largoheshin klientët.

Nga kjo, autori është ndjerë i fyer dhe ka shkuar në Shkodër, tek shtëpia e Pal Kosterit dhe pasi e ka thirrur atë të dalë jashtë, e ka qëlluar me armë. Bashkëshortja e viktimës i ka identifikuar autorët, të cilët i njihte dhe më parë.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.02.2013

Redaksi Online
(b.m.shqiptarja.com)