Dy ish-zyrtar të lartë të komunës Hajmel janë dënuar secili me nga 2 vite e 8 muaj burg nga Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër. Bëhet fjalë për ish-kryetarin e komunës Lekë Bibaj dhe ish-arkëtarin e komunës Dedë Kola.
 
Që të dy janë dënuar në mungesë sepse nuk kanë qenë të pranishëm në seancën e fundit gjyqësore ndërsa më parë kanë marrë pjesë në seancat e tjera që janë zhvilluar.
 
Bibaj dhe Kola akuzohen për veprën penale “shpërdorim i detyrës në bashkëpunim”. Gjatë vitit të kaluar në kontrollet rutinë, Ministria e Financave vërejti në pasqyrat financiare se në komunën e Hajmelit mungonte një vlerë prej 1.2 milion lekësh.
 
Pasi janë bërë procedurat e duhura menjëherë ka nisur hetimi për këtë çështje. Pas hetimeve prokuroria e Shkodrës arriti në konkluzionin se ish-kryekomunari Bibaj dhe ish-arkëtari Kola kanë marrë vlerën prej 1.2 milion lekësh pa asnjë lloj dokumentacioni shoqërues dhe i kanë përdorur më pas duke paguar kesh.
 
Këtë gjë sipas prokurorisë e ka bërë ish-kryekomunari por në bashkëpunim me ish-arkëtarin i cili ishte përgjegjës asokohe për arkën e komunës. Gjatë marrjes në pyetje ish-kryekomunari ka pranuar se e ka marrë atë shumë por është justifikuar se e ka paguar në formë borxhi ndaj dy shtetasve të cilëve ua kishte borxh pas disa punimeve që këto të fundit kishin bërë në vitin 2007 në shkollën 9-vjeçare të fshatit Nënshat.
 
Këta dy shtetas pasi janë pyetur nga prokuroria kanë qenë në të njëjtën linjë duke thënë se ish-kryekomunari u kishte një borxh që nuk e kishte paguar prej 6-vitesh dhe paratë ua kishte kthyer në vitin 2014 duke ia dhënë me këste në dy pjesë dhe duke e shlyer borxhin prej 1.2 milion lekësh.
 
Nga ana tij ish-arkëtari ka deklaruar në organin e akuzës se ka qenë i detyruar që t’i nxjerrë paratë nga arka sepse ish-kryekomunari i ka dhënë një urdhër verbal dhe i ka thënë se paratë i duhen për nevoja urgjente të komunës dhe se i është bindur urdhrit të eprorit të tij.
 
Avokati mbrojtës që përfaqësonte dy të akuzuarit kërkoi pafajësinë sepse sipas tij shuma e parave është përdorur për llogari të komunës dhe jo për qëllime të tjera abuzive.
 
Në fund Gjykata e Shkodrës pas disa seancash me radhë vendosi që të dënojë me nga 4 vite burg secilin prej të akuzuarve por duke pranuar kërkesën për gjykim të shkurtuar ku dy ish-zyrtarëve i ulet 1/3 e dënimit dhe përfundimisht dënohen në mungesë me 2 vite e 8 muaj si dhe iu është hequr e drejta për të ushtruar funksione publike për 5 vite.
 
Bibaj ishte me PD-në deri në  zgjedhjet e fundit lokale të 2015-ës kur zgjodhi të mbështesë për bashkinë e Vau Dejës kandidatin e PS Gjokë Lleshi duke ndryshuar kurs politik për shkak të pakënaqësive brenda PD. 

Redaksia Online
(u.s/shqiptarja.com)