SHKODER- Kreu i partisë “Fryma e Re Demokratike” ka vijuar takimet elektorale me banorë të komunave Bushat, Velipojë dhe Postribë, në qarkun e Shkodrës. Topi tha se mënyra më e mirë për të reaguar ndaj përmbytjeve të banorëve të kësaj zone është vota.
 
“Si ka mundësi që përmbytet Shkodra, nën Shkodra dhe Velipoja dhe mungojnë reagimet nga njerëzit. Sigurisht që kanë frikë, por unë ju them se mënyra më e mirë për të reaguar ndaj indiferencës së qeverisë është VOTA. Fanatizmi që ngrenë 2 gishtat lart kur janë 3 metra nën ujë, është e keqja e njerëzve të thjeshtë”, tha Topi.
 
Duke u ndalur tek situata ekonomike në vend kreu i FRD-së tha se “financat po ndjejnë çdo ditë rënie katastrofike, ndërsa i vetmi biznes që lulëzon janë studiot që prodhojnë postera e flamuj partie, duke shpërdoruar paratë e popullit”.
 
Topi tha se Fatlum Nurja që prin listën e kandidatëve për këtë qark, do të pjesë e grupit parlamentar të FRD-së.
 
“Për qytetarët shkodranë 23 qershori është moment për t’i thënë “Ik” politikanëve që e lanë Shkodrën dhe Shqipërinë jashtë Europës, atyre që braktisën të përndjekurit dhe mbledhin vota për Kaçin e zi, atyre që tradhtuan kauzën e demokratëve. Programi i FRD është i guximshëm, ai ka përparësi kompensimin përfundimtar të të përndjekurve, sepse ky akt, është çështje dinjiteti dhe respekti për shtresën e vuajtur në diktaturë”, u shpreh kreu i FRD, Bamir Topi.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)