Shkodër- Një 45-vjeçar që udhëtonte me motorin e tij u përplas për vdekje paraditen e sotme (24 Janar) në Shkodër.
Policia vendore pas veprimeve hetimore të kryera, njoftoi se arrestoi orët e pasdites shoferin e dyshuar, Xh.P., 31 vjeç.
Ngjarja ndodhi në rrugën e fshatit Darragjat.
“Në përfundim të veprimeve të para procedurale, specialistët e Sektorit të Policisë Rrugore arrestuan në flagrancë për veprën penale “shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor,” shtetasin Xh. P., 31 vjeç. Automjeti që drejtohej nga 31-vjeçari është përplasur me motomjetin që drejtohej nga shtetasi P. P., 45 vjeç. Si pasojë e përplasjes shtetasi P.P., ka humbur jetën në Spitalin Rajonal të Shkodrës”, njoftoi policia vendore.
Hetimet e mëtejshme për këtë ngjarje po i ndjek prokuroria vendore, për të zbardhur dinamikën e plotë dhe shkaqet e aksidentit fatal.