Situata në territorin e Bashkisë së Shkodrës deri në orën 16:00 ka paraqitur vështirësi në zonat e përmbytura për shkak të shkarkimeve te HEC-eve si dhe në zonat e thella malore ku kalimi bëhet me shumë vështirësi.

Kështu që në njësinë administrative Ana e Malit janë të përmbytura mbi 700 ha tokë. Ka prezencë uji në rrugën e fshatit Obot, 30-50 cm. Për shkak të shkarkimeve në kaskadën e lumit Drin, përmbytjet e tokave janë shtuar sidomos tre ditët e fundit dhe pritet sedo të vazhdojnë edhe për disa ditë në vijim.

Mjeti i ushtrisë, sipas kërkesës së bërë nga Bashkia Shkodër, vazhdon të jetë i disponueshëm në rrugën e Obotit, për çdo rast nevoje të banorëve për të lehtësuar lëvizjen. Sot nxënësit kanë frekuentuar shkollën rregullisht.
shkoder

Paraqitet nëvoja për bazën ushqimore për kafshët në fermat në zonën e përmbytur.

Në njësinë administrative Dajç janë të përmbytura mbi 30 ha. Megjithatë, situata deri më tani nuk vlerësohet problematike.

Problem shqetësues paraqiten edhe punimet që po bëhen në rrugën e Velipojës pasi në fshatin Trush janë bllokuar kanalet anësore dhe ka përmbytje të tokave që janë afër rrugës. Ka rreth 20 ha të përmbytura në njësinë administrative Bërdicë.
shkoder

Në zonat malore, për shkak të reshjeve të dëborës, kalimi i mjeteve të rënda dhe të pajisura me zinxhirë në rrugën e malit të Shoshit bëhet me vështirësi.

Rruga për në fshatin Bruçaj në Qafë-Thanë të njësisë administrative Pult është e bllokuar.

Rruga e Mazrekut në njësinë administrative Gur i Zi është e bllokuar, për shkak të dëborës së rënë.

Nga monitorimi në terren është vënë re që prurjet e lumit Drin janë rritur shumë.

Sipas IGJEUM-it, rezulton se “lumenjtë do të kenë prurje të larta kryesisht në pjesën veriore të territorit. Kjo për shkak të kombinimit të shkrirjes së dëborës si pasojë e rritjes së temperaturave dhe reshjeve të pritshme. Sot baseni Drin-Buna dhe Liqeni i Shkodrës kanë patur tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve. Nesër dhe në vazhdim përgjatë datave 7 dhe 8 Mars 2018 rritja e prurjeve dhe e niveleve në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës do të jetë më e ndjeshme.

Rritja e niveleve në pjesën e Ultësirës së Shkodrës do të varet edhe nga shkarkimet e kaskadës në Lumin Drin. Paraprakisht, nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM në pjesën e Lumit Buna dhe Liqenit të Shkodrës, rritet rreziku i zgjerimit të hartës së përmbytjeve në zonën e Nën-Shkodrës. Nivelet më të larta janë llogaritur të arrihen në datën 8 Mars.

s.k/Shqiptarja.com