Policia e Shkodrës ka arrestuar tre persona të shpallur në kërkim. Në prangat e bluve të Shkodrës ka rënë Pëllumb Shpati, 50-vjeç banues në Mgulle dhe Gjin Lushi 63-vjeç banues në fshatin Xhan të Shkodrës. Të dy këta persona rezultojnë të shpallur në kërkim pasi akuzohen për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Ndërsa personi i tretë që ishte shpallur në kërkim është Flamur Maliqi 43-vjeç banues në Kosovë dhe ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për kallëzim të rremë dhe pritet të ekstradohet drejtë Kosovës.
I arrestuari Pëllumb Shpati rezulton të jetë i dënuar me 5 vite e 4 muaj burg nga Gjykata e Apelit të Shkodrës në shtator të vitit 2018 pasi akuzohej për armë mbajtje pa leje, armë shpërthyese dhe kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Ndërsa i ndaluari tjetër Gjin Lusha, 63-vjeç rezulton të jetë dënuar me 5 vite heqje lirie në shtator të 2018, për shpërdorim detyre si dhe kultivim dhe shitje të lëndëve narkotike.
Të dy këta persona janë pjesë e grupit të Shkodrës të cilët akuzohen për kultivimin e 31.386 rrënjë canabis të cilat u asgjesuan më pas nga policia e Shkodrës në 166 parcela gjithsej pëmes 28 aksioneve të ndryshme gjatë periudhës 28 qershor-28 shtator 2016. Për kapjen e këtij grupi policia e Shkodrës organizoi një operacion të koduar “Early Spring” me 28 shkurt 2017 ku në total u arrestuan 27 persona të dyshuar si bashkëpunëtor në kultivimin e bimëve narkotike në Dukagjin.
Gjin Lushi, në kohën kur u mbjellën mijëra rrënjë kanabisi në Dukagjin mbante detyrën si kryeplak i fshatit Xhan në njësinë Pult dhe gjykata përveç akuzave për lëndë narkotike ndaj tij ka shtuar edhe akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Në operacionin e zhvilluar për arrestimin e tyre u angazhuan 125 policë të D.V.P. e F.N.Sh Shkodër.
U sekuestruan
• 31.140 rrënjë kanabis
• 150 kilogramë kanabis
• 330 gram fare bime narkotike cannabis sattiva
• 9 automjete.
• 22 telefona celularë
• Një mitroloz model 56 kalibri 7.62 mm
• Dy automatikë model 56 kalibri 7.62 mm.
• Dy armë zjarri pistoletë.
• Një sasi fishekësh .