TIRANE- Kush të rreh, të do" është një shprehje që mësuesit tanë duket se aplikojnë ende. Të paktën kjo është vërtetuar nga një inspektim që ka bërë "Avokati i Popullit", në shkollën e fëmijëve të verbër, "Ramazan Kabashi" në kryeqytet. Ata kanë takuar drejtorin, nëndrejtoreshën, kujdestarin, psikologen, mësueset e e akuzuara nga fëmijët, si dhe nxënësit e klasës që kanë akuzuar për dhunë verbale dhe fizike. Në një material të detajuar mbi rezultatet e këtij inspektimi, "Avokati i Popullit", shprehet se si materiale mbështetëse janë përdorur edhe relacionet e shkruara të përgatitura nga drejtori e psikologja, si dhe fotokopjet e ditarëve të mbajtura nga nëndrejtoresha mbi konfliktet midis nxënësve dhe mësuesve, kujdestarit e drejtorit.
"Nga vlerësimi, rezulton se ndaj nxënësve që kanë ngritur shqetësimin në videon e paraqitur në media, ka pasur trajtim neglizhues dhe është përdorur dhunë episodike fizike e psikologjike me qëllim kërcënimin, frikësimin dhe manipulimin e tyre", - shkruhet në raportin e "Avokatit të Popullit".
Më tej ai paraqit edhe raste konkrete. Kështu, sipas raportit të këtij inspektimi, nga "Avokati i Popullit" më konkretisht:
"1. Ndaj disa nxënësve, për qëllime në dukje edukative, është përdorur nga mësuesja e matematikës goditja me vizore dhe shkulja e flokëve e pasuar me ledhatim për të ulur intensitetin e dhimbjes e për të shmangur reagimin e nxënësve të goditur. Kjo e fundit u pranua në masë nga fëmijët e pyetur, si dhe nga modelimi i veprimit që psikologja eksperte kërkoi që të kryhej mbi të nga njëri prej nxënësve. Goditja me vizore dhe shkulja e flokëve janë mohuar kategorikisht nga mësuesja, e cila u shpreh se "fëmijët i prek me dorë vetëm për t'i drejtuar" dhe se "vizorja që unë e kam mjet pune dhe e mbaj në dorë, mund të më ketë rrëshqitur nga dora e padashje të ketë përfunduar mbi ndonjë fëmijë".
2. Ndaj nxënësve është ushtruar dhunë psikologjike në formën e kërcënimit me fjalë e sharje (psh. drejtori u ka thënë nxënësve që prishën lisharësen "kriminela, do të paguani dy mijë eurot që ka bërë lisharësja"); me bërtitje e sharje (p.sh. mësuesja e historisë i ka thënë një nxënësi:je kriminel i familjeve të këtyre nxënësve"); mërimbajtje (mësuesja e matematikës pasi ka dhënë leje për të pirë ujë një nxënësi, i ka mbajtur derën që ai të mos hyjë më në klasë); me epitete fyese (mësuesja e muzikës, matematikës dhe historisë i kanë thërritur nxënësit që kanë denoncuar në video gjatë orës së gjeografisë "spiuna të presorit të gjeografisë"); me mallkime (p.sh. mësuesja e historisë: siç më ka vrarë Zoti mua, do t'ju vrasë dhe juve që bëni kështu")", - thuhet në raportin e "Avokatit". Më tej raporti vijon se me datë 10.02.2012, një ditë pas bërjes publike të videos, është bërë një mbledhje me qëllim njohjen me vërejtjet e nxënësve. "Kjo mbledhje është regjistruar në video me kërkesën tuaj në prani të nxënësve. Pas bërjes prezent të problematikave nga ana e nxënësve, këtyre të fundit u është kërkuar të dalin pa u dhënë përgjigje, gjë që ka shkaktuar pakënaqësi e që e ka çuar në mbylljen e parakohshme të mbledhjes, pa komunikimin e një date ku nxënësit do të kontaktoheshin për t'u sqaruar mbi problematikat e ngritura. Kur të nesërmen njëri prej nxënësve, i konsideruar problematik nga ana e stafit, ka vajtur në zyrën e drejtorit për të kërkuar sqarime, ky i fundit e ka shoqëruar jashtë duke i thënë sikurse pranoi "kush je ti që të të jap unë llogari ty", pa i dhënë sqarime të mëtejshme. Çmojmë se në më të paktën, mbledhja e filmuar dhe reagimi, është një gabim etik dhe pedagogjik, që shkon ndesh me parimet e arsimit. Nxënësit nuk janë informuar mbi mënyrën se si do të plotësohej programi i lëndës së historisë. Për arsye shëndetësore, mësuesja është larguar jashtë vendit duke lënë përmbledhje të mësimeve për t'u plotësuar nga mësues të tjerë. Disa prej këtyre orëve kanë ngelur bosh, disa të tjera janë plotësuar nga të tjerë mësues në lëndët e tyre, ndërsa një pjesë u janë dhënë nxënësve, bazuar në përmbledhjet e përgatitura, nga mësues të lëndëve të tjera që u mungon formimi mbi specialitetin. Sikurse konfirmohet nga palët, mësimet janë kapërcyer nga mësuesja e cila i ka konsideruar ato të kryera në mungesë. Reagimit dhe kërkesës së nxënësve për sqarime mbi programin, ajo u shpreh se i ishte përgjigjur: "nuk e kuptoj këtë ndryshimin tuaj kështu të menjëhershëm. Ju po kërkoni informacione që nuk ju takojnë"", - thuhet në raport-inspektimin e "Avokatit të Popullit". Situata konfirmohet edhe nga relacioni i përgatitur nga psikologja e Institutit ku shkruhet: "…fëmijët nuk ushqehen në mënyrë edukative. Atyre duhet t'u vihen në dijeni të drejtat dhe detyrimet në një institut ku shkollohen dhe edukohen…".
Rekomandimet
Në fund të këtij inspektimi, që ka monitoruar edhe kushtet e fjetjes dhe higjieno-sanitare, "Avokati" ia ka përcjellë rekomandimet edhe ministrisë së Arsimit e Shkencës. "Rekomandojmë: trajnimin e stafit pedagogjik të Institutit mbi arsyet dhe faktorët themelorë që motivojnë dhunën ndaj fëmijëve, me qëllim ndërgjegjësimin mbi qëndrimin e ligjit, e mbi të drejtat e fëmijëve për paprekshmëri fizike dhe psikike; trajnimin e stafit pedagogjik të Institutit me shprehitë e mësimdhënies së mirë dhe mënyrat alternative të disiplinimit të fëmijëve; ngritjen e një sistemi për raportimin, regjistrimin dhe trajtimin e të gjitha rasteve që përfshijnë dhunën në institucion; trajnimin e psikologes së Institutit mbi menaxhimin e stresit e të konfliktit tek stafi dhe nxënësit, si dhe mbi shërbimin e përshtatshëm psikologjik që duhet ofruar; krijimin e një zyre të shërbimit psikologjik në institut; marrjen e masave për rikonstruksionin e pjesshëm të godinës që shërben si konvikt duke evituar lagështirën në shumë prej dhomave të fjetjes si dhe të kaldajës që shërben për ngrohjen e saj; shtimin në organikë të kujdestarëve, e domosdoshme kjo për këtë kategori fëmijësh dhe kujdesin ndaj tyre", - thuhet në raportin e "Avokatit të Popullit".
  ( ne foto:Shkolla e te verberve)
(sg/shqiptarja.com)