Militantët e Berishës protestë para bashkisë, Veliaj: Pakica zhurmuese lë jahtin me pushime dhe vjen të protestojë

Qytetarët e Prushit, si një nga zonat më industriale të Tiranës, përveç investimeve dhe zhvillimit rezidencial të saj, do të kenë shkollën e tyre të re, me kushte moderne. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se shkolla “Ibrahim Hima” do të jetë një “pikë graviteti” për gjithë komunitetin. Ajo do ndërtohet tre herë më e madhe se ajo ekzistuese, duke njehsuar kështu standardin e shkollave në qendër me ato të periferisë.

“Nëse do kishte medalje olimpike për shkollat e reja, Bashkia e Tiranës do ishte patjetër fituese. Kemi ndërtuar mbi 44 shkolla të reja. Sot shkojmë në një shkollë totalisht moderne, siç janë edhe gjithë shkollat e tjera. Siç kemi bërë “Bedri Llagamin”, ashtu do bëjmë edhe shkollën “Ibrahim Hima”. Do të shkojmë nga një shkollë e ndërtuar në vitet ’60, pra 64 vite më parë, në një shkollë me standardet e vitit 2024”, tha Veliaj.

Për kreun e Bashkisë, mbështetja nga shumica e heshtur është gjithmonë ajo që i çon përpara projektet për qytetin. Veliaj tha se nuk i intereson aspak pakica që bën zhurmë.

“Mua më intereson shumica e heshtur, jo ajo pakicë që bën zhurmë dhe lë jahtin në pushime, për të ardhur e protestuar e për të thënë atë refrenin banal: ‘E duam aty ku ishte ,siç ishte’. Aty ku ishte patjetër, por shumë herë më të madh dhe shumë herë më të bukur. Si me parimin e teatrit, aty ku ishte, por diçka ultra moderne, kështu edhe për shkollën. Do ndërtohet këtu ku është, por shumë më moderne, me një sipërfaqe më të madhe, me ambiente dinjitoze, jo me furrikun që shërben për nevojat personale, jo me ferrat që rrethojnë shkollën, pa hapësira sportive. Aty ku ishte, por shumë herë më të madhe, shumë herë më të bukur dhe shumë herë më të fortë”, theksoi ai.

Teksa falenderoi banorët e zonës, kryebashkiaku kërkoi mirëkuptimin e tyre, sa i përket nevojës për shpronësim, për t’i hapur rrugë një projekti me standarde cilësore, që sipas tij, do të rrisë vlerën e pronës dhe do të jetë “qershia mbi tortë” për komunitetin e zonës së Prushit.  

“Kemi një nevojë për shpronësim. Do kërkojmë mirëkuptim dhe do i paguajmë qytetarët, sipas ligjit dhe çmimeve të referencës. Siç e patë, toka është djerrë, pra nuk do i prishim terezinë askujt. Nuk është se ajo tokë po banohej, kultivohej apo punohej. Kjo do të thotë që sa e kemi këtë mundësi, që na vjen një herë në shekull, ta bëjmë siç duhet shkollën. Ne do të ndërtojmë një shkollë me tre kate, shkojmë nga 450 në mbi 2500 metra katrorë sipërfaqe. Do të kemi një palestër, e cila do jetë buzë rrugës kryesore të Prushit, që lidh Prushin me Brokajn. Thelbi është: Do ta bëjmë këtë sakrificë duke pasur parasysh që ëndrra që po realizohet këtu dhe projekti do jetë diçka që ia vlen, ia vlen sakrifica, mundi dhe gjithë durimi i qytetarëve të mrekullueshëm të Prushit, që dua t’i falënderoj me gjithë zemër”, u shpreh Veliaj.

Veliaj e konsideroi ndërtimin e shkollës së re si një mundësi fantastike për të gjithë prindërit, të cilët duan të regjistrojnë fëmijët e tyre në kurse sportive dhe inkurajuar jetesën e shëndetshme.

“Do të jetë aksesi i palestrës, mu buzë rrugës, që pavarësisht orareve të mësimit apo të shtunë e të dielë, e ditëve të pushimit apo ditëve të verës, të ketës akses tek palestra dhe fusha e sportit që do bëjmë mbrapa, që të inkurajojmë një jetë të shëndetshme. Një lojë në skuadër dhe fëmijë që rrinë në një ambient, nuk dalin në xhade, nuk rrinë nëpër kafe e nëpër bare, por rrinë në ambientet e shkollës, jo vetëm për të bërë mësim, por edhe për t’u zhdërvjelltësuar fizikisht e për të qenë pjesë e një skuadre, e ku i dihet, ndoshta nga Vaqarri na vijnë medaljet e ardhshme”,  tha kryebashkiaku.

Shkolla ekzistuese “Ibrahim Hima” do rikonstruktohet totalisht dhe vendin e saj do e zërë një shkollë me sipërfaqe gati 5-fish më e madhe, me ambiente të shtuara, të trefishuara, me një palestër të re, me salla rekreative, sallë multifunksionale dhe ambiente të tjera sportive të jashtme, në funksion të fëmijëve të kësaj zone.

M.Q./I.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025

'Economic Times': Shqipëria mes vendeve ideale evropiane për të vizituar në 2025