...
Rreth 30 mijë fëmijë u ulën sot për herë të parë në bankat e shkollës, duke nisur kështu një cikël të ri dhe të gjatë në jetën e tyre. Këtë fillim viti të ri shkollor dyert e arsimit publik hapen për të mirëpritur rreth 489 mijë nxënës. Por me nisjen e vitit të ri shkollor Tirana është përballur me një trafik të rënduar.
Plani i kryebashkiakut Erion Veliaj për të disiplinuar trafikun në shërbim të nxënësve duket se ka dështuar...të paktën në ditën e parë. Në orët e para të mëngjesit (07:00-08:00) rrugët kryesore të kryeqytetit ishin thuajse të gjitha të bllokuara nga vargu i makinave.
Në unazë kanë qarkulluar furgonë, kamionçina - ndryshe nga urdhri i Bashkisë. Por shumë nga drejtuesit e automjeteve pranojnë se nuk janë njohur ende me rregullat e reja të vendosura nga bashkia, të bëra publik vetëm 3 ditë më parë.
Sipas urdhrit të bashkisë së Tiranës që kryetari Veliaj bëri publik më 11 shtator, gjatë ditës (nga kjo e hënë) ndalohet qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë dhe të furgonave që furnizojnë me mallra marketet në unazën e vogël të Tiranës. Ky vendim u mor në mënyrë që trafiku të lehtësohej për tu vënë në “dispozicion” të fëmijëve për të mos humbur orën e parë të mësimit.
Krahas mungesës së një informacioni më të gjerë dhe të përditshëm, drejtuesit e automjeteve janë përballuar me një sërë gjobash nga policia bashkiake për moszbatim të orarit apo dhe qarkullimin në rrugët e ndaluara.
Nxënësit, ata më të vegjlit të shoqëruar nga prindërit e tyre, janë përballur me një trafik të rënduar qysh në orët e para të mëngjesit. Policia e cila ndodhej në çdo aks dhe pranë shkollave për të disiplinuar sadopak varguan e makinave, e pati të pamundur të ndryshonte situatën e cila ka shoqëruar ditë e parë të shkollës çdo vit.
Të “humbur” nuk kanë qenë vetëm fëmijët, por edhe qytetarët e tjerë të shumtë që kanë shkuar më tepër se 5 minuta me vonesë në punë...Megjithëse siç tradita e do, dita e parë e shkollës është thjesht ceremoniale, ndaj dhe nxënësit nuk kanë përse t’i druhen penalizimeve për vonesën, “frika” e tyre duhet të jetë nëse edhe në ditët në vijim trafiku do të vijojë të paraqesë të njëjtën situatë.
Këtë vit shkollor janë 58.032 nxënës që janë regjistruar në arsimin parashkollor. 319.066 në arsimin bazë, 108.636 nxënës në arsimin e mesëm me kohë të plotë dhe 3,204 në arsimin e mesëm me kohë të pjesshme.
Krahasuar me një vit më parë numri i nxënësve që nisin këtë vit të ri shkollor është më i lartë se ai i një viti më parë, ku faktor ndikues është edhe kthimi i emigrantëve.