Rëndohet bilanci i viktimave nga zjarri që përfshiu një kompleks qiellgërvishtësish në Hong Kong. Sipas të dhënave zyrtare numri i atyre që humbën jetën ka shkuar në 128,  ndërsa afro 200 persona rezultojnë të zhdukur, 79 të tjerë u plagosën, përfshirë 12 zjarrfikës, njëri prej të cilëve në gjendje të rëndë. Shefi i Sigurisë së Hong Kongut, Chris Tang, tha se kërkimi për të mbijetuarit ka përfunduar.

Zjarri shkatërroi shtatë nga tetë blloqet 31-katëshe të kompleksit Wang Fuk Court në lagjen Tai Po. Panelet e polisterolit të vendosura mbi dritaret në kafazin e ashensorit shihen si shkaku i përhapjes kaq të shpejtë të flakëve, në brendësi të kullave. Tetë persona janë arrestuar nën dyshimin për korrupsion, lidhur me punimet e rinovimit që po kryheshin në godinat përpara se të shpërthente zjarri. Tre të tjerë u ndaluan më herët nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Rindërtimi i ngjarjeve

Alarmi i zjarrit u rrit shpejt nga niveli 1 në nivelin 4, në një shkallë prej 5, rreth orës 15:30 sipas orës lokale (8:30 të mëngjesit në Itali).

Imazhet e transmetuara treguan skena dramatike të qiellgërvishtësve, të përfshirë nga flakët. Kompleksi rezidencial Wang Fuk Court, në lagjen Tai Po të Hong Kongut, ka 1,984 apartamente për një total prej afërsisht 4,000 qiramarrës. Punimet e rinovimit me kosto mbi 36 milionë euro, kishin filluar prej muajsh, duke shkaktuar pakënaqësi të konsiderueshme midis banorëve.

Zjarri u përhap edhe në ndërtesat aty pranë, përfshirë Shkollën Fillore Baptiste Tai Po. Policia evakuoi dy komplekse të tjera në lagjen ngjitur Këong Fuk.

Presidenti kinez Xi Jinping shprehu ngushëllimet e tij për viktimat. Sipas CCTV, Xi bëri thirrje për një përpjekje të gjithanshme për të kontrolluar flakët dhe për të minimizuar numrin e viktimave dhe dëmeve të shkaktuara nga zjarri.

Raportimet mediatike tregojnë se 767 zjarrfikës dhe 400 oficerë policie, së bashku me 128 automjete zjarrfikëse dhe 57 ambulanca, u përfshinë në operacionet e shpëtimit. Mbi 700 persona deri më tani janë strehuar në pesë qendra komunitare të hapura nga zyra e distriktit Tai Po.

Shefat e zjarrfikësve thanë se temperaturat e larta e bënë të vështirë për ekipet të organizonin operacionet e shpëtimit. Nuk është e qartë se si filloi zjarri, por autoritetet thonë se nisi në skelat e jashtme në njërën prej ndërtesave, një kullë 32-katëshe, dhe më pas u përhap në brendësi të ndërtesës dhe më pas në kullat ngjitur, me shumë gjasa i nxitur nga erërat e forta të kohëve të fundit dhe gjithashtu nga skelat prej bambuje që mbështjellin ndërtesat.

Autoritetet që hetojnë zjarrin kanë thënë se do të shqyrtojnë faktorë të ndryshëm, përfshirë faktin nëse materialet e përdorura në muret e jashtme të ndërtesave përmbushnin standardet e rezistencës ndaj zjarrit, pasi përhapja e zjarrit ishte jashtëzakonisht e shpejtë. "Policia dhe Departamenti i Shërbimeve të Zjarrfikësve kanë krijuar tashmë një grup pune për të hetuar" zjarrin dhe shkaqet e tij, tha John Lee, Guvernator i Hong Kongut. Hetimi do të përfshijë gjithashtu kontrollin për elementë të mundshëm kriminalë. “Qëllimi ynë tani është të sigurohemi që temperatura të ulet në ndërtesë dhe sapo gjithçka të konsiderohet e sigurt, policia do të mbledhë prova dhe do të kryejë hetime të mëtejshme”, shpjegoi për mediat shefi i Sigurisë së Hong Kongut, Chris Tang.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 17:42
Shkon në 11 numri i të arrestuarve në Hong Kong për zjarrin në bllokun e pallateve, të paktën 128 persona humbën jetën

1764348448_31241d20cabf11f08830713b9084fff8.jpg.webp

Të paktën 128 persona dihet se kanë humbur jetën nga zjarri shkatërrues që përfshiu disa ndërtesa shumëkatëshe në Hong Kong.

Tetë persona janë arrestuar nën dyshimin për korrupsion, lidhur me punimet e rinovimit që po kryheshin në godinat përpara se të shpërthente zjarri. Tre të tjerë u ndaluan më herët nën akuzën e vrasjes nga pakujdesia.

Shkaku i zjarrit mbetet ende i paqartë, megjithëse zyrtarët thanë se polistireni dhe rrjetat mbrojtëse të vendosura jashtë dritareve ndihmuan në përhapjen e flakëve.

Edhe 79 persona të tjerë u plagosën në zjarr – më i rëndi që ka përjetuar qyteti në më shumë se 70 vjet. Dhjetëra të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur. Policia hyri në godinat e djegura për të mbledhur prova, pasi autoritetet thanë se hetimi do të zgjasë tre deri në katër javë.

Komisioni i Pavarur kundër Korrupsionit (ICAC) njoftoi se të arrestuarit në hetimin për korrupsion përfshijnë drejtorë të një kompanie inxhinierike dhe nënkontraktorë të skelave.

Rreth 2.311 zjarrfikës punuan për ta vënë zjarrin nën kontroll, pasi ai përfshiu shtatë nga tetë ndërtesat e kompleksit Wang Fuk Court.

Operacionet e shuarjes tashmë kanë përfunduar. Sipas departamentit të zjarrfikësve, zjarri u shua plotësisht në orën 10:18 të mëngjesit të së premtes me orën lokale (02:18 GMT), konfirmuar në një konferencë për shtyp.