Ka shkuar në shtatë numri i të arrestuarve në kuadër të operacionit "Restart" në Korçë, i nisur një muaj më parë nga Policia, Stacioni Policor Kufitar i Kapshticës dhe SHÇBA. Pesha e kanabisit të sekuestruar që prej fillimit të këtij operacioni ka shkuar në total në 252.4 kilogramë. Në vijim të këtij operacioni, sot kanë përfunduar në pranga Sokol Kadilli dhe Ergis Fidani.
Personat e mësipërm, janë kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, me automjetin tip "Volvo", gjatë kontrollit të të cilit iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 72 pako me peshë 65 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek.
Në datën 6 nëntor u arrestuan katër persona dhe u sekuestrua 114 kg kanabis. Mes të arrestuarve ishte edhe avokati Joni Mosku, i dënuar më parë për trafik droge. Po ashtu u arrestuan edhe, Ligor Romaçka, Idriz Manej dhe Albion Çiko. Avokatin Mosku iu gjet 66 kg kanabis, ndërsa Romaçkës ju gjet në magazinë 48 kg me 1 pistoletë sportive dhe 1 makinë pa dokumentacion.
Njoftimi i Policisë
Vijon operacioni policor antidrogë i koduar "Restart". Shkon në 7 numri i të ndaluarve dhe në 252.4 kg lëndë narkotike e sekuestruar në kuadër të këtij operacioni, që ka startuar një muaj më parë për goditjen e një grupi kriminal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek. Operacioni i zhvilluar nga Seksioni për Trafiqet e Paligjshme dhe Narkotikët në DVP Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA dhe Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Korçë. Në vijim të operacionit, goditet rasti i tretë i tentativës për trafikim të narkotikëve, sekuestrohen edhe 65 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas të tjerë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, në bashkëpunim me SHÇBA, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, në vijim të operacionit të koduar "Restart", nisur 1 muaj më parë, si rezultat i të cilit janë vënë në pranga 5 shtetas dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale 187.4 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, kanë vijuar veprimet e thelluara hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i informacioneve të grumbullauara nga hetimet proaktive dhe punës së mirëorganizuar, u godit një tjetër rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike në drejtim të shtetit grek, ku u bë arrestimi në flagrancë i një pjesëtari tjetër të këtij grupi kriminal konkretisht shtetasit S. K., 42 vjeç, banues në Korçë.
Shtetasi i mësipërm, është kapur nga shërbimet e policisë në aksin rrugor Korçë-Kapshticë, me automjetin tip "Volvo", gjatë kontrollit të të cilit iu gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale 72 pako me peshë 65 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, sasi e cila do të trafikohej në drejtim të shtetit grek.
Gjithashtu po në kuadër të këtij operacioni, u bë ndalimi për veprën penale "Trafikimi i narkotikëve", kryer në bashkëpunim, ngelur në tentativë, i shtetasit E. F., 32 vjeç, banues në Korçë, i dyshuar si i implikuar në ngjarjen e datës 06.11.2021, ku u arrestuan në flagrancë 4 shtetasit L. R; J. M; I. M. dhe A. Ç.
Në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, hetimet për këtë operacion po vijojnë për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore edhe të personave të tjerë të implikuar. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë.