‘Shkrihen’ akujt mes Kinës dhe SHBA-ve, pas 5 vitesh Xi Jinping takim me Blinken! Presidenti kinez: Kërkojmë respekt dhe sinqeritet reciprok

PEKIN- Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të hënën në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping, në ditën e dytë dhe të fundit të një vizite që synoi stabilizimin e marrëdhënieve mes dy fuqive. Pas takimit me presidentin kinez, Blinken theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë mes të dy palëve. Nga ana e tij presidenti Xi vlerësoi progresin e shënuar në marrëdhëniet mes Pekinit dhe Uashingtonit.

Antony Blinken është sekretari i parë i shtetit që takohet me udhëheqësin kinez që nga viti 2018. Zoti Blinken u prit nga presidenti Xi Jinping në sallën e madhe të popullit. Mbetet për t'u parë nëse kjo vizitë do të arrijë të zgjidhë mosmarrëveshjet më të rëndësishme mes dy vendeve, shumë prej të cilave lidhen me çështje ndërkombëtarë financiare, të sigurisë dhe të stabilitetit.

“Presidenti Biden më kërkoi të udhëtoja në Pekin sepse ai beson se Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë një detyrim dhe përgjegjësi për të menaxhuar marrëdhëniet mes tyre. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për ta bërë këtë. Kjo është në interesin e të dy vendeve dhe në interes të botës. Ditët e fundit kam zhvilluar biseda të sinqerta dhe konstruktive me Këshilltarin Shtetëror Qin Gang dhe zyrtarin Wang Yi. Ne mbuluam një gamë të gjerë të çështjeve dypalëshe dhe globale”, tha Sekretari amerikan Blinken.

Presidenti kinez tha se palët ranë dakord të përparojnë mbi çështjet që ai dhe Presidenti amerikan Biden, u morën vesh gjatë takimit në Bali.

“Palët kanë bërë progres dhe kanë arritur marrëveshje për disa çështje specifike. Kjo është një gjë shumë e mirë. Veprimet ndërshtetërore duhet të mbështetën gjithmonë në respektin dhe sinqeritetin reciprok. Shpresoj që përmes kësaj vizite, zoti Sekretar, të jepni kontribute më pozitive në stabilizimin e marrëdhënieve mes Kinës dhe SHBA-së”, tha presidenti i Kinës, Xi Jinping.

Blinken përsëriti se Shtetet e Bashkuara nuk e mbështesin pavarësinë e Tajvanit dhe janë për zgjidhje paqësore të dallimeve mes Kinës dhe Tajvanit.

Ndërsa të dyja palët ranë dakord për nevojën për të stabilizuar komunikimin, zoti Blinken nuk do të kthehet në Uashington me një marrëveshje nga pala kineze për të krijuar kanale komunikimi mes zyrtarëve ushtarakë.

Deri tani, Kina nuk ka pranuar të bëjë përpara mbi këtë çështje", tha zoti Blinken.

Uashingtoni thotë se linjat e komunikimit ushtarak duhet të mbeten të hapura në rast krize. Gjatë komunikimit me gazetarët sekretari Blinken tha se kishte ngritur çështjen e të drejtave të njeriut, përfshirë shqetësimet ndërkombëtare për trajtimin e popullatës në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong, si dhe ndalimin e padrejtë të qytetarëve amerikanë në Kinë. Takimi më i fundit mes Presidentëve Biden e Xi u zhvillua në nëntor në Bali të Indonezisë ndërsa mbahej takimi i nivelit të lartë të 20 vendeve më të zhvilluara të botës (G20). Palët u zotuan për komunikim më të shpeshtë. Megjithatë, lidhjet mes dy superfuqive të botës që atëherë janë përkeqësuar për çështje të ndryshme nga Tajvani e deri te shqetësimet që kanë të bëjnë me spiunazhin.

“Ne i kemi të qarta sfidat që kanë të bëjnë me Republikën Popullore të Kinës. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë për një të ardhme që ne ndajmë me shumë të tjerë, një botë të lirë, të hapur, të qëndrueshme dhe të begatë me vendet që mbështesin rendin e mbështetur në rregulla. Ky rend ka ruajtur për vite paqen dhe sigurinë globalisht. Formësimi i asaj të ardhme bëhet duke filluar me diplomacinë, me përfshirje të Kinës”, tha Sekretari Blinken pas takimit me presidentin kinez.

Zoti Blinken i tha udhëheqësit kinez se presidenti amerikan Joe Biden beson se Uashingtoni dhe Pekini kanë një detyrim për të menaxhuar marrëdhëniet e tyre dhe se SHBA-ja është e përkushtuar për ta bërë një gjë të tillë./VOA

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 21:11
Blinken takim me presidentin kinez, korrespondenti i Report Tv në SHBA: Vizita e parë pas 5 vitesh, synoi stabilizimin e marrëdhënieve mes dy fuqive

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u takua të hënën në Pekin me presidentin kinez Xi Jinping. Korrespondenti i Report Tv në SHBA, Denion Ndrenika tha se ky kjo vizitë synoi stabilizimin e marrëdhënieve mes dy fuqive. Ndrenika shprehet kjo është vizita  e parë e një zyrtari amerikan në Pekin pas rreth 5 vitesh, ndërsa u ndal edhe në çështjet që kanë çuar në tensionimin e marrëdhënieve SHBA-Kinë.

“Për herë të parë pas gati 5 vitesh, sekretari i shtetit Antony Blinken qëndron në Pekin. Bisedimet pasojnë një periudhë jo pak të tensionuar veçanërisht për çështjet bazë që ndajnë SHBA me Kinën. Një historik të vogël, është Tajvani pika më kyçe. Që nga rreth 25 shtatori i 2021 këto marrëdhënie u tensionuan pas një traktati të nënshkruar ndërmjet Australisë, SHBA dhe Britanisë. Thelbi i këtij traktati lidhet me pajisjen e Australisë me teknologjinë që ndihmojnë në ndërtimin e nëndetëseve bërthamore,. Kina thotë se ky traktat shkel të paktën tre traktate bërthamore, ai i mos përhapjes së armatimit bërthamor, traktati për statusin e agjencisë ndërkombëtare bërthamore, si edhe për ta mbajtur paqësorin jugor në një zonë të lirë bërthamore. Bisedimet janë përqendruar në këtë pikë dhe presidenti i Kinës Xi Jinping, ka thënë se shtetet duhet të mbështeten tek respekti reciprok. Në morinë e mospajtimeve përveç Tajvanit dhe këtij traktati, është edhe qëndrimi i kinës me ndërtimin e ishujve artificialë në detin e Kinës Jugore. Gjeografikisht kina mbulon një pjesë jo të vogël të detit të kinës jugore, mirëpo vendet e rajonit, vendet e Indokinës dhe Paqësori, përfshirë Filipinet, Malajzinë, Vietnamit e kundërshtojnë këtë autoritet të Kinës mbi këta ishuj bërthamorë, madje SHBA vazhdojnë të lundrojnë në ato ujëra pranë këtyre ishujve artificialë duke i konsideruar si zona të lira të trafikut ndërkombëtarë”, tha Ndrenika.

G.MO/KT/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani

Dronë misteriozë shihen mbi tri baza amerikane në Britani