Pesë vjet më parë hynë bashkë në zgjedhje dhe u bënë dy figurat qendrore të pushtetit në Kosovë. Sot, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani janë në një tjetër moment të historisë së tyre politike. Të dy janë filmuar duke biseduar në ambientet ku po zhvillohej ceremonia e inaugurimit të presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula.

Një bisedë mes dy ish-aleatëve do të ishte një episod krejt i zakonshëm, po të mos vinte pas një marrëdhënieje që gjatë pesë viteve kaloi nga bashkëpunimi i ngushtë politik në distancim dhe më pas në përplasje të hapura. Kurti dhe Osmani fituan së bashku në vitin 2021, por në fund të mandatit të saj presidencial gjendeshin shumë larg raportit me të cilin e kishin nisur.

Osmani, e larguar nga LDK-ja dhe me iniciativën "Guxo", hyri në zgjedhjet e shkurtit 2021 në listën e përbashkët me Vetëvendosjen. Fitorja i çoi të dy në krye të institucioneve: Kurtin në Qeveri dhe Osmanin në Presidencë. Me kalimin e viteve, megjithatë, dallimet nisën të shfaqeshin sidomos për veriun dhe raportet me aleatët. Osmani kërkonte koordinim më të ngushtë me SHBA-në dhe NATO-n, ndërsa përplasje publike pati edhe për çështje si hapja e urës së Ibrit.

Distanca u thellua në vitin 2026. Osmani kërkoi një mandat të dytë, por këtë herë nuk mori mbështetjen e Vetëvendosjes. Më pas, mosmarrëveshjet kaluan edhe në terren institucional, me përplasjen për shpërndarjen e Kuvendit dhe interpretimin e Kushtetutës.

Sot, ndërsa të dy bisedonin në mënyrë të relaksuar dhe me nga një gotë në dorë, Kurti dhe Osmani lanë për disa minuta mënjanë përplasjet që kanë shoqëruar raportin e tyre gjatë këtyre viteve. Megjithatë metet për t'u parë nëse biseda në ceremoninë e inaugurimit të Shiroka-Pulës ishte thjesht kortezi mes dy ish-aleatëve apo sinjal i një raporti më të qetë mes tyre.


Lajmi kryesor:

Pak orë pas votimit në Parlament, Justina Shiroka Pula merr detyrën si Presidente e shtatë e Kosovës