Në një postim në rrjetin social facebook pavarisht të gjithave Rama shkruan se sipas tij djalli fshihet nē detaje dhe nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.
"Edhe ky shkrim i Aleksandër Vuçiçit, Presidentit të sapozgjedhur të Serbisë, nuk mund të imagjinohej pak vjet më parë, paçka se Kosova, kujton ai, mbetet ashtu siç e artikulon presidenti serb, nyja gordiane, prerja ose jo e së cilës, është edhe zgjedhja e qartë mes territ të tunelit dhe dritës së daljes prej tij!
Megjithate, padyshim, kjo është një zgjedhje që e sjell në anën e dritëdaljes, vazhdon kryeministri, duke e cilësuar si përpjekjen e mundimshme dhe reciproke për ta kuptuar deri në fund njëri-tjetrin, përmes një dialogu të palodhur e fort të dhimbshëm, në emër të dashurisë për kalamajtë e të dy popujve tanë dhe përgjegjësisë për të ardhmen me paqe e begati të dy kombeve tona", shkruan Rama në FB.
Në shkrimin e Vucic të cilin Rama e ka publikuar të plotë, presidenti serb tregonte se që të ecë përpara, Serbia duhet ta zgjidhë ngërçin e Kosovës. Thirrja e presidentit serb ishte ajo e një zgjidhjeje të qëndrueshme dhe afatgjatë.
“Është koha që si popull të mos e fusim kokën në rërë si struci dhe të provojmë të jemi realist, të mos i lejojmë vetes që të humbim apo t'i dorëzojmë dikujt atë që e kemi, por të mos presim që të na vijë në duar ajo që e kemi humbur kaherë", shkruante ultranacionalisti i shndëruar në reformator pro-europian, duke nënvizuar se "është me rëndësi tani, më shumë se kurrë, që të gjejmë një përgjigje së bashku. Një përgjigje që do të ishte e përhershme, që përjashton konfliktin", shpreht Vucic.
Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com