TIRANE - Demokristianët pritet të bashkohen në një parti të vetme, në shtator. Këtë e ka bërë të ditur kreu i PDK, Nard Ndoka, që për gazetën tha se negociatat janë në përfundim. “Në shtator pritet të përfundojnë negociatat për bashkimin e demokristianëve e të deklarohet bashkimi në PDK”, tha Ndoka për “Shqiptarja.com”. Ku gjasat janë që boshti të këtij bashkimi të jenë PDK e Kristian Demokratët e Mark Frrokut. Ku ai, dhe numri dy i PKDSH, Dhimitër Muslia janë shprehur pro këtij bashkimi e fillimit të bisedimeve.

Por kreu i Aleancës Demokristiane Zef Bushati i cilëson flluska mediatike këto lajme, duke mohuar të jenë ulur me të. ”Deklarimet rreth idese se një bashkimi të mundshëm të demokristianëve jane flluska mediatike të nxitura nga individe që s’janë të ndërgjegjshëm për rëndësinë e madhe të kësaj çështjeje. Këta individë ose s’kanë formimin e duhur politik rreth këtij problemi të rëndësishëm e tregohen mediokër, duke e trajtuar me lehtësi çështjen e bashkimit të demokristianëve në një subjekt të vetëm politik, ose janë nxitës për dëmtimin dhe më tej të imazhit të demokristianëve në skenën politike”, thotë Bushati për gazetën.

Sipas tij, janë po të njëjtët individë që punonin për përçarjen e dëmtimin e imazhit demokristian që në vitin ‘96, në kohën kur ai drejtonte PDK dhe që në ato vite kur PDK ishte një subjekt i vetëm dhe po fitonte terren në skenën politike, po këta persona organizonin “grupe puçiste”, mbledhje, kongrese anti-statuore, etj., me qëllimin e vetëm, shkatërrimin e subjektit demokristian. “Më 2002 u zgjodh z.Lesi për të drejtuar PDK e më tej z.Ndoka.

Ne të tre s’gjetëm gjuhën e u ndame në 3 subjekte. Por s’u mjaftuam me 3 parti demokristiane e u shtuam dhe me 2 kristian demokratë. 5 parti. A bëhen bashkë 5 mendje, 5 kryetarë? Personalisht kam marredhënie korrekte me z.Ndoka, marrëdhënie korrekte e miqësore me z.Lesi, marrëdhënie të reja po ndërtoj me z.Frroku. Asnjëri prej tyre nuk e ka të vështirë të më ftojë për një kafe ku të diskutojmë idenë e bashkimit apo dhe çështje të tjera që lidhen me bashkëpunimin midis subjekteve tona.

Fakti që nuk ulemi për këtë çështje tregon se s’egziston vullneti”, tha Bushati. Sipas tij, partia është një vlerë kombëtare. Deputeti është një mandat 4 vjeçar që ta ka dhënë një zonë e caktuar elektorale. “Politika është shkencë e kërkon shumë përgatitje e përvojë. Këto i di dhe z.Lesi e z.Ndoka prandaj tregohen të matur në deklarime.

Mendoj se kjo temë s’duhet të jetë objekt i shtypit dhe mediave por një çështje e brendshme e jona, që të mos na thonë dashamirësit në rrugë e kafe: Hë, kur po bashkoheni ju demokristianët se latë nam me katër parti. Meqënese jemi para këtij realiteti, rruga më e mirë është që elektorati të bejë seleksionimin dhe zgjedhjen e tij”, përfundon Bushati. I cili shfaqet skeptik në lidhje me një bashkim të mundshëm të demokristianëve.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)