Liderët e katër partive kryesore në Maqedoni sot për herë të dytë do të ulen në tryezën e negociatave takim ky i paralajmëruar se do të mbahet në orwn 13:30 në klubin e deputetëve.

Kryetari  i VMRO DPMNE-së Nikolla Gruevski, kryetari I LSDM-së Zoran Zaev, Menduh Thaçi i PDSH-së, dhe Ali Ahmeti I BDI-së  do të takohen sot pas takimit të javës së kaluar në të cilin arritën të miratojnë vetëm një deklaratë të shkurtër për vazhdimin e dialogut politik dhe mbajtjen e protestave të qeta dhe demokratike. 

Edhe takimi i sotëm do të jetë me praninë e ambasadorit amerikan në Shkup, Jess Baily dhe ambasadorit të BE-së, Aivo Orav.

Javën e kaluar u paralajmërua se katër liderët po tentojnë që të miratojnë një kornizë me disa pika të rëndësishme përmes së cilës do të zhvillohet dialogu, ndërkohë Ambasadori amerikan Baily në profilin e tij në “Twitter” ka shkruar se “i gëzohem takimit të ri të liderëve”, -raportojnë mediat maqedonase

Nga ana tjetër, mësohet se Gruevski dhe Zaev nesër do të udhëtojnë në Strasburg për takime me eurodeputetë. 
“Nuk kam asnjë informacion, përveç gatishmërisë sonë që të jemi aty kur na ftojnë miqtë tanë të bashkësisë ndërkombëtare”,- deklaroi Zaev. 

Dy kampet politike maqedonase vazhdojnë në qëndrimet e tyre, derisa opozita kërkon dorëheqjen e Gruevskit dhe formimin e qeverisë kalimtare, ky i fundit ka theksuar se nuk jep dorëheqje dhe se as që do të pranojë qeveri kalimtare. 
 
Redaksia online
(S.M/shqiptarja.com)