SHKUP, 7 nëntor /ATSH-MIA/ - Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti kërkoi nga eurokomisioneri i Zgjerimit, Johannes Hahn përsëritjen e rekomandimit të Komisionit Evropian për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë në BE, njoftoi sot zyra për informim e BDI-së.
"Ne do të angazhohemi për zbatimin e reformave të kërkuara për të ndërtuar institucione më të qëndrueshme, ndërsa njëkohësisht presim përkushtimin tuaj në tejkalimin e pengesës së fundit që qëndron midis Maqedonisë dhe integrimit euroatlantik", thuhet në mesazhin e Ahmetit për Hahnin.
"Maqedonia dhe rajoni kanë nevojë për stabilitet dhe siguri, prandaj le të mos i kursejmë përpjekjet tona të
përbashkëta për ta integruar vendin tonë në BE dhe NATO sepse ky është përcaktimi ynë strategjik pa asnjë alternativë", theksoi ai.
"Bashkëpunimi me komunitetin ndërkombëtar dhe ndërtimi i përbashkët i politikave i ka sjellë dobi vendit tim dhe qytetarëve tanë, qysh nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit, marrjes së statusit 'vend kandidat' për anëtarësim në BE, liberalizimit të vizave, rekomandimet për hapjen e negociatave me BE si dhe të qenit në prag të anëtarësimit në NATO", shton Ahmeti./  a.jor.