Shkup,gjendje e jashtëzakonshme
protestuesit pushtojnë Kuvendin
FOTO/Dhunohet barbarisht Sela
FOTO/Protestuesit gjakosin Zaev

Historike! Shumica në Kuvendin e Maqedonisë zgjodhi kryetar deputetin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Talat Xhaferin.

Xhaferi u votua nga deputetët e LSDM, Alencës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. 67 vota shkuan pro zgjedhjes së tij, ndërsa VMRO-DPMNE nuk kanë marrë pjesë në votim.

Menjëherë pas votimit Xhaferi ka bërë betimin para deputetëve. Por në këtë moment seanca u përfshi nga tensionet. Karrigia e kreut të Kuvendit u mbajt e bllokuar nga deputetët e VMRO-së.

I pari shqiptar në krye të Kuvendit
Kjo është hera e parë që Kuvendi i Maqedonisë do të drejtohet nga një shqiptar.

Talat Xhaferi hyn kështu në histori si i pari shqiptar i cili do të drejtojë një prej posteve më të larta të shtetit. 

[gallery]22015[/gallery]

Maqedonasit hyjnë në Kuvendin e Maqedonisë, dhunojnë deputetët
Ndërkohë situata jashtë Kuvendit të Maqedonisë është mjaft e tensionuar, ndërsa turma e revoltuar e protestuesve ka hyrë brenda sallës së Kuvendit.

Protestuesit “Për Maqedoni të Bashkuar” të cilët janë mbledhur para godinës së Kuvendit duke shprehur revoltën e tyre, pas zgjedhjes së Xhaferi kryetar të Kuvendit. 

Ata kanë dhunuar disa prej deputetëve të LSDM-së, ndërsa nuk kanë kursyer as liderin e opozitës, Zoran Zaev i cili ka marrë disa plagë në fytyrë pasi është goditur nga protestuesit. 

Ndërkohë që pre e dhunës barbare ka rënë edhe kreu i Partisë për Reforma në PDSH, kryetari i Komunës së Strugës, Ziadin Sela.
ziadin sela
(Ziadin Sela i dhunuar barbarisht brenda në Kuvend)

Siç duket edhe kjo foto, Sela ka marrë dëmtime të rënda në fytyrë, ndërsa mbahet i mbyllur në dhomën ku qëndrojnë deputetët ndërsa jashtë protestuesit janë të shumë në numër. 



Protestuesit gjakosin dhe liderin e LSDM-së, Zoran Zaev
zoran zaev
dhuna ne parlamentin maqedonas
(Zoran Zev në sallën e Kuvendit i gjakosur)




Zhvillimet minutë pas minute në Parlamentin e Maqedonisë

Ora 23:50 Euro deputeti Knut Fleckenstein: BE, të mos presë, duhet të ndërmarrë masa

“BE-ja do të duhet që të ndërmerr masa dhe se për këtë do të diskutohet nesër”, ka thënë Fleckenstein në për Deutsche Welle duke shtuar se tashmë nuk ka cfarë pritet pas këtyre ngjarjeve të dhunshme.

Ora 22:50 Mogherini dhe Hahn, thirrje për vetpërmbajtje dhe qetësi 

Shefja e diplomacisë evropiane, Federika Mogherini dhe komisioneri evropian për Zgjerimin, Johanes Han, gjatë një konference të përbashkët kanë dënuar ashpër ngjarjet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë.

“Dënojmë ashpër sulmet që ndodhën sot ndaj deputetëve të Parlamentit në Shkup. Aktet e dhunës në Parlament janë tërësisht të papranueshme dhe ne bëjmë thjirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje”, kanë deklaruar Mogherini dhe Han.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe policia duhet që të garantojnë sigurinë e Kuvendit dhe anëtarëve të tij”, kanë shtuar krerët .

Ora 22:45 Ambasada Amerikane në Shkup dënon dhunën në parlament 

Ambasada Amerikane në Shkup, ka dënuar dhunën e sotme në Parlamentin e Maqedonisë, të përdorur ndaj deputetëve të shumicës dhe gazetarëve.

“Fuqishëm e dënojmë dhunën në Parlament. Kjo nuk përputhet me demokracinë dhe nuk është mënyrë e pranueshme për zgjedhjen e ndryshimeve. Të gjitha partitë në mënyrë kritike t’i respektojnë proceset demokratike dhe ligjet dhe të përmbahen nga aksionet e dhunshme”, thuhet në reagimin e ambasadës amerikane në Shkup.


Ora 22:40  Reagon presidenti serb, Aleksandar Vuçiç: Problemet të zgjidhen me dialog

Për këto ngjarje të dhunshme ka reaguar edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç.

"Problemet të zgjidhen me dialog. Situata në Maqedoni na shqetëson dhe ne”, është shprehur presidenti Vuçiç.

Ora 22:30 Ivanov thirrje për qetësi: Liderët të takohen nesër
Presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov, ka dalë para qytetarëve të vendit për të reaguar në lidhje me zhvillimet e fundit në Kuvendin e Maqedonisë, ku janë sulmuar fizikisht gazetarë dhe deputetë të shumicës parlamentare të cilët votuan Kryetarin e ri të Kuvendit të Maqedonisë.

"U bëj thirrje që të jeni të qetë, të mos bini në provokime dhe manipulime. Thërras në qetësim të tensioneve dhe jo dhunë, në sjellje të ndërgjegjshme, në përgjegjësi të institucioneve që duhet të respektojnë ligjet dhe Kushtetutën.

Deputetët duhet të veprojnë sipas rregullores së Kuvendit që sot e shkelën. Gjendja tejkalohet me respektim të Kushtetutës dhe rendit juridik, s’ka përgjigje që nuk zgjidhet sipas Kushtetutës dhe ligjeve. Prandaj, i thërras nesër liderët e partive politike në një takim liderësh për të diskutuar gjendjen e tanishme për të parë të gjitha mundësitë për të dalë nga situata. Liderët janë përgjejgës për të gjetur zgjidhje sipas Kushtetutës, ligjeve dhe rregullores së Kuvendit.

Askush nga jashtë nuk do t’i zgjedhë problemet, por duhet që vetë të bëjmë këtë”,
u shpreh Ivanovi.

Ora 21:50 VIDEO/Protestuesit maqedonas kapin për flokësh deputeten
Dhuna e ushtruar në Parlamentin maqedonas ndaj deputetëve nuk ka kursyer as gratë.
 
Në një video të publikuar nga mediat maqedonase duket qartë momenti brutal kur një nga protestuesit kap për flokësh deputeten.
 
Në sfond vërehen fytyrat e gjakosura të deputetëve të tjerë që edhe pse të plagosur ende vijojnë të jenë të izoluar në Kuvend.



Ora 21:20 Ministri i Brendshëm i Maqedonisë Agim Nuhiu: Policia nuk bëri detyrën në mënyrë efikase
Ministri i Brendshëm i qeverisë teknike në Maqedoni, Agim Nuhiu është shprehur se policia nuk ka qenë në detyrë në mënyrë efikase.
 
Ai garantoi se situata është drejt përmirësimit ndërsa tha se për një kohë të shkurtër do evakuohen deputetët të cilët janë nën kontroll.
 
“Policia nuk ka qenë në detyrë në mënyrë efikase për të realizuar planin që kishim përgatitur. Tani policia është në krye të detyrës. Situata po qetësohet, në mes të lënduarve ka edhe policë. Për një kohë të shkurtër evakuojmë deputetët që i kemi nën kontroll”, tha ai.

Ora 21:15 Hahn: Dhuna s'ka vend në Kuvend
Komisari evropian për Zgjerim, Johanes Hahn ka dënuar sonte në mënyrë të ashpër dhunën e cila ka shpërthyer në Kuvendin e Maqedonisë, ku kanë hyrë demonstrues pasi shumica parlamentare zgjodhi Talat Xhaferin për kryetar të Parlamentit. 

"Dënoj me forcë dhunën ndaj deputetëve në Kuvendin e Maqedonisë. Dhuna nuk ka vend në Parlament. Demokracia duhet të vazhdojë përpara", thuhet në mesazhin e komisionerit për Zgjerimin lidhur me situatën në Maqedoni. 

johannes hahn

Demonstruesit në Kuvend kanë sulmuar liderin e LSDM-së Zoran Zaev, duke i shkaktuar lëndime në kokë, si dhe nënkryetarit të kësaj partie Damjan Mançevski.

Ora 21:10 Nikolla Gruevski: Dhuna s’është zgjidhje, populli të qetësohet
Ndërsa mbështetësit e partisë VMRO-DPMNE vijojnë të mbajnë nën kontroll Kuvendin e Maqedonisë,  Nikolla Gruevski ka reaguar mbi situatën e krijuar. Ai i bën thirrje për qetësi popullit dhe shprehet se dhuna nuk është zgjidhje.

“Dhuna nuk është zgjidhje, bëjmë thirrje për qetësi. Populli të mos bjerë pre provokime nga ata që duan ta fusin shtetin në krizë më të thellë”, tha Gruevski. 

Ora 21:05 Situata në Maqedoni, Rama: Shqiptarët të ruajnë qetësinë
Lidhur me situatën kritike që po kalon Maqedonia, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit nga radhët e BDI në krye të Kuvendit, ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama.
 
Kreu i qeverisë i ka bërë thirrje shqiptarëve që të ruajnë qetësinë dhe të mos pre provokimeve.  
 
Ai tha në “Top Story” se Gruevski e pranoi platformën shqiptare dhe se refuzimi i saj tani që Ahmeti shkoi në koalicion me Zaev është hipokrizi.
 
“Një bllokim krejtësisht i pakuptueshëm në Maqedoni i një procesi politik. Ajo që dua të them me këmbëngulje është që shqiptarët në Maqedoni duhet të ruajnë qetësinë dhe të mos bien pre e provokimeve.
 
Duhet të jenë shembulli se si ne të gjithë si shqiptarë, nuk duam fundin, por stabilitetin dhe demokratizimin e Maqedonisë, ku shqiptarët të jenë me të drejta të barabarta me maqedonasit. Është vërtet dramatike. Është një moment ku realisht duhet qetësi
”, tha Rama.
 
Për Gruevskin
“Me vjen keq që u ngrit një strategji dritëshkurtër politike duke vënë shqiptarët në shënjestër dhe duke bërë sebep platformën e ashtuquajtur të Tiranës. E vërteta është se Gruevski e ka pranuar platformën shqiptare dhe e refuzoi vetëm kur Ahmeti arriti marrëveshjen me Zaev”, tha Rama.

Ora 21:00 Situata në Maqedoni, Meta: Momente kritike, t'i jepet fund dhunës
Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, ka dënuar dhunën e ushtruar nga mbështetësit e Nikola Gruevskit ndaj deputetëve në Parlamentin e Maqedonisë.
 
Kreu i Kuvendit apelon për qetësi në këto momente kritike, siç e cilësoi ai situatën në Maqedoni.
 
"Apelojmë për ndalimin e dhunës. Stabiliteti i Maqedonisë kyç për Ballkanin. Urtësia dhe dialogu janë vendimtare në këto momente tepër kritike", ka deklaruar Meta. 

Ora 20:55 Afrim Gashi: Deputetët e BESA-s janë mirë, dolëm pa filluar trazirat
Deputeti Afrim Gashi i Lëvizjes Besa deklaron se të gjithë deputete e kësaj force janë mirë pasi kanë dalë nga Kuvendi pa filluar protestat. Ai shprehet se nuk kanë informacion se çfarë po ndodh në Parlament.

“Deputetë e Lëvizjes Besa janë mirë, ne ishim deputetë e fundit që dolëm nga seanca. Ne ikëm sa nuk kishin filluar incidentet, për 2, 3 minuta nisi. Ne jemi shëndosh e mirë dhe nuk jemi në Kuvend. Nuk kemi informacion të saktë se çfarë po ndodh aty dhe pse deputetët e tjerë kanë qëndruar aty”, tha ai.

Ora 20:50 MPJ e Shqipërisë: Dhuna në Kuvend, e papranueshme
Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme lidhur me situatën në Maqedoni, duke dënuar dhunën e ushtruar ndaj deputetëve shqiptarë dhe atyre të opozitës maqedonase, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar Kuvendit 

"Po ndjekim me shqetesim të madh përshkallëzimin e situatës në Maqedoni dhe skenat e dhunës në ambjentet e Kuvendit ku raportohen sulme ndaj lidërve dhe deputetëve të opozitës.

Përplasje dhe skena të tilla dhune kundër përfaqësuesve të zgjedhur nga qytetarët e Maqedonisë janë të papranueshme dhe aspak të denja për një demokraci parlamentare. Dhuna nuk ndihmon kurrsesi në zgjidhjen e situatës së krijuar.

U bëjme thirrje të gjithë aktorëve politikë të tregojnë vetëpermbajtje, të mos përdorin retorika që përshkallëzojnë situatën e tensionuar dhe të angazhohen maksimalisht, me qetesi, e gjakftohtesi në një dialog të qenësishëm.

Gjithashtu, i bëjmë thirrje forcave të rendit të angazhohen në ruajtjen e rendit publik dhe sigurisë së gjithë qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre.

Qytetarët e Maqedonisë presin daljen sa më parë nga kriza dhe vijimësinë e procesit të funksionalizimit të institucioneve, në të mirën e tyre të përbashkët, të bashkejetesës e harmonisë ndëretnike si edhe të përparimit euroatlantik të vendit.

Mbështesim thirrjen e ambasadoreve të vendeve të BE-së dhe të SHBA-së për të shmangur dhunën dhe për të nisur një dialog të qënësishëm politik në Maqedoni"
.

Ora 20:45 Ziadin Sela, jashtë rrezikut për jetën
Raportohet se deputeti Ziadin Sela fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, ndërsa Parlamenti vijon të jetë i zaptuar nga protestuesit.

Ora: 20:30 Mediat Maqedonase: ZiadinSela në gjendje kritike për jetën
Mediat maqedonase raportojnë se nga situata e krijuar në Maqedoni ku mbështetësit e Nikolla Gruevskit u futën brenda Kuvendit pas zgjedhjes së Talat Xhaferit kryetar i parlamentit, ka mbetur i plagosur rëndë Ziadin Sela, deputeti i LR PDSH-së.

Ora 19:40 Talat Xhaferi: Nuk ka nvojë për panik
Nuk nevojë për panik, kështu deklaroi kryeparlamentari i sapo zgjedhur, Talat Xhaferi, në një linjë telefonike për Alsat-M.

Nuk jemi të bllokuar thjesht qëndrojmë këtu, nuk ka të bëjë me bllokimin. Ky qëndrim është i paraparë të jenë kështu në këto situata. Nuk ka nevojë për shqetësim”, deklaroi Xhaferi.

Ndërkohë Zaev përsëri ka kërkuar të ruhet gjakftohtësia. Në seancë sot nuk ishte i pranishëm kreu i BDI-së, Ali Ahmeti.

Ora 19:15 Deputeti i BDI: Jemi të mbyllur në një dhomë, policia të na mbrojë
Kaos në Maqedoni pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i Kuvendit të Maqedonisë.

Në një lidhje telefonike për Report Tv kryetari i grupit parlamentar të BDI Artan Grubi ka deklaruar se rreth 150 persona janë të izoluar dhe në rrezik në një nga sallat e konferencës ndërsa protestuesit po u bien dyerve.
 
“Pas përfundimit të seancës protestueset e VRNO DPMNE hynë në Kuvend dhe janë zaptuar sallën qendrore. Disa deputetë dhe me gazetarët jemi të ngujuar në një sallë të konferencave dhe po presim që policia të ndërhyjë dhe të mbrojë kuvendin, deputetët dhe rendin në vend.
 
Ka shumë rrezik për fat të keq dhe uroj që qytetarët të mos bien pre e provokimeve dhe të ikin nga salla e Kuvendit. Jemi me 150 persona në një dhomë të vogël kurse jashtë janë protestuesit që po u bien dyerve”
, tha ai.

Ora 19: 05 Talat Xhaferi zgjidhet kryetar i Kuvendit të Maqedonisë
Shumica në Kuvendin e Maqedonisë zgjodhi kryetar deputetin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Talat Xhaferin.

Xhaferi u votua nga deputetët e LSDM, Alencës për Shqiptarët dhe Lëvizjes Besa. 67 vota shkuan pro zgjedhjes së tij, ndërsa VMRO-DPMNE nuk kanë marrë pjesë në votim.



/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave