SHKUP - Huliganët maqedonas kanë rrahur brutalisht në Shkup të riun shqiptar Isuf Islami nga lagjja Dizhon e kryeqytetit. Ngjarja ka ndodhur pas mesnatës së ditës së djeshm, kur viktima i moshës 18-vjeçare, teksa po ecte me dy shokët e tij në lagjen Lisiçe është ndaluar nga një grup huliganësh maqedonas, të cilët më pas e kanë sulmuar brutalisht.

I rrahur, ai ka mbetur i vetëm, pasi që dy shokët e tij kanë arritur të largohen. “Ata janë afruar dhe e kanë pyetur se çfarë nacionaliteti është. Pasi që i ka bërë me dije se është shqiptar menjëherë është sulmuar me gjësende të forta duke pësuar goditje të rënda dhe tronditje në tru”, kanë theksuar familjarë të djalit të dhunuar.

Ai më pas është gjetur nga një kalimtar i rastit, i cili e ka dërguar në Qendrën Klinike, ku është konstatuar thyerja e nofullës së poshtme, kockës ballore, dëmtimi i unazave të qafes dhe ashtit kurrizor. MPB akoma nuk është deklaruar lidhur me incidentin. Familjarët presin që të kapen autorët, mirëpo të ndërhyjë edhe politika për të kërkuar siguri për të rinjtë shqiptarë nëpër kryeqytet. (INA)

Redaksia Online
(mag/shqiptarja.com)