SHKUP, 18 dhjetor /ATSH-MIA/ - E dimë se cilat janë pasojat nga bllokimet për anëtarësimin tonë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, pasi bllokimet shkaktojnë frustrime në shoqërinë e Maqedonisë, destabilitet në jetën politike dhe tensionime në marrëdhëniet ndëretnike, deklaroi presidenti maqedonas, Gjorge Ivanov gjatë fjalimit të tij vjetor para deputetëve.
"Ardhmëria e Republikës së Maqedonisë është në NATO dhe në Bashkimin Evropian", theksoi Ivanov duke shtuar se "për fat të keq, që në vitin 2005 u bëmë vend kandidat për anëtarësim në Union dhe Këshilli Evropian nuk arriti deri tani të gjejë mënyrë për të filluar negociatat për anëtarësim".
Presidenti i Maqedonisë theksoi se standardet e dyfishta me të cilat jemi të përballur nuk mund ta fshehin të vërtetën. Ai kujtoi se në histori kemi kaluar nëpër shumë vështirësi.
"Na kanë mohuar dhe injoruar. Na kanë asimiluar, ndarë dhe zhvendosur. Por, edhe përkundër të gjithave, kemi qëndruar. Sot jemi të bindur se do të bëhemi anëtare e Bashkimit Evropian dhe e NATO-s. Sepse Maqedoninë ndërtojmë brenda nesh, prej nesh, për ne, për të jetuar edhe ne edhe gjeneratat ardhshme në paqe dhe mirëqenie", theksoi presidenti Ivanov.
"Athina zyrtare mund ta ngadalësojë, por jo edhe ta ndalojë lidhjen tonë me Evropën, nuk mundet tashmë t'i ndalojë qytetarët e Maqedonisë të udhëtojnë nëpër Evropë", theksoi ai.
Lidhur me politikën e jashtme, Ivanov theksoi se Maqedonia vazhdon të udhëhiqet nga parimi i transparencës ndaj të gjithëve, e cila, siç tha, nuk është vetëm deklarative, por konkrete./ a.jor.









