Shkup, Meta-Veljanoskit: Zbatim të
gjitha pikave të Marrëveshjes së Ohrit

Shkup, Meta-Veljanoskit: Zbatim të<br />gjitha pikave të Marrëveshjes së Ohrit
SHKUP - Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u takua sot me homologun e tij të maqedonas Trajko Veljanoski në kuadër të vizitës zyrtare që po zhvillon ditën e sotme në Maqedoni.

Gjatë takimit Meta dhe Veljanoski biseduan mbi forcimin e bashkëpunimit ndërparlamentar, përmes grupeve të miqësisë, komisioneve reciproke dhe administratave të të dy Parlamenteve, duke u fokusuar në prioritetet e procesit të integrimit evropian dhe në konkretizimin e bashkëpunimit dypalësh, kryesisht në fushat e transportit, agro-përpunimit, arsimit dhe turizmit.

Kryetari i Kuvendit Ilir Meta u ndal gjithashtu në rëndësinë që Shqipëria i kushton përshpejtimit të zbatimit integral të të gjitha pikave të Marrëveshjes së Ohrit, si një domosdoshmëri për zhvillimin ekonomik e social të pjesës perëndimore të Maqedonisë, me rezultate të prekshme për mirëqenien dhe integrimin e mëtejshëm të shqiptarëve në vendin fqinj.

meta

Duke shprehur mbështetjen e pakursyer të Shqipërisë ndaj proceseve integruese euro-atlantike të Maqedonisë, Meta theksoi se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe rritja e cilësisë së bashkëpunimit me Maqedoninë janë një prioritet i politikës së jashtme shqiptare, e cila i shërben forcimit të stabilitetit në rajon.

“Dua të theksoj se Shqipëria dhe populli shqiptar e shohin stabilitetin, sovranitetin dhe integritetin e Maqedonisë si një gur shumë të rëndësishëm për mbarëvajtjen e paqes dhe prosperitetit në të gjithë rajonin tonë. Në këtë kontest, e shohim edhe popullsinë shqiptare shtetformuese këtu, si një faktor tejet të rëndësishëm dhe themeltar të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në shërbim njëkohësisht të progresit dhe të ardhmes evropiane të Maqedonisë, duke e konsideruar këtë si një urë të fortë bashkëpunimi dhe miqësie midis nesh. Ne mbështesim përshpejtimin e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Ohrit. Mirëpresim rezultate të matshme dhe të prekshme sa më shumë në terren, duke inkurajuar pjesëmarrjen aktive dhe duke vlerësuar kontributin pozitiv të shqiptarëve në jetën publike, sociale dhe ekonomike të Maqedonisë. Njëkohësisht, ne vlerësojmë si një pasuri mjaft të rëndësishme për Shqipërinë, pikërisht traditat e pakicës maqedonase në vendin tonë dhe do të bëjmë çdo gjë për të përmirësuar akoma më tej kushtet dhe standardet e jetës së tyre.” u shpreh kryeparlamentari Meta

ilir meta

Nga ana e tij Veljankoski shprehu vullnetin e qeverisë së Maqedonisë për të respektuar marrëveshjen e Ohrit si shenjë e respektimit të lirive dhe të drejtave të njeriut dhe të pakicave kombëtare.

“Gjithashtu, biseduam edhe për situatën e bashkësive etnike, ku theksova se Republika e Maqedonisë në mënyrë të përpiktë punon dhe do të punojë në realizimin cilësor të marrëveshjes kornizë. Me këtë rast theksova se ne jemi një shoqëri mulit-etnike, multi-kulturore dhe multi-funksionale dhe se marrëveshja dhe implementimi i saj siguron një respektim të përpiktë dhe zhvillim të të drejtave individuale dhe kolektive të bashkësive etnike, por nuk prek karakterin unitar të shtetit. Gjithashtu, si shtet presim që edhe fqinjët tanë në mënyrë të përpiktë të respektojnë të drejtat kolektive dhe individuale të minoriteteve dhe të qytetarëve të vet, duke përfshirë këtu edhe maqedonasit që jetojnë atje.” tha ai

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve

Nico Williams s’ia del, Spanja e humbet për Ligën e Kombeve