Qeveria e Maqedonisë së Veriut mori vendim të premten për një lehtësim të sanksioneve kundër Federatës Ruse, duke hequr masën kufizuese për fluturimin e avionëve rus në hapësirën e saj, për t’i mundësuar në këtë mënyrë pjesëmarrjen në konferencën vjetore të OSBE-së në Shkup ministrit të Jashtëm, Sergej Lavrov.
Pas një sërë spekulimesh mëngjesin e së premtes se qeveria kishte hequr sanksionet, Ministria e Jashtme lëshoi një komunikatë në drekë duke bërë me dije se bëhet fjalë për një “plotësim” të vendimit të mëparshëm që pasoi vendimin e Bashkimit Evropian për sanksionet kundër Rusisë, pas agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.
"Qeveria maqedonase me anë të këtij ‘plotësim – vendimi’, i autorizon ministritë përkatëse që të vendosin vetë për dhënien e lejes për fluturimin dhe uljen e avionit rus për shkak takimit ministror të OSBE-së në Shkup, nga 29 nëntori deri më 1 dhjetor 2023”, thuhet në njoftim.
Autoritetet qeveritare të Maqedonisë së Veriut theksojnë se “plotësimi i vendimit është në përputhje me rregulloren e BE-së dhe dispozitat në vetë masat kufizuese, me të cilat parashikojnë përjashtime nga kufizimet në fjalë për konferencat ndërkombëtare, siç është OSBE-ja”.
Ndërkohë, sipas medive lokale në Shkup, kryediplomati rus Lavrov do të udhëtonte përmes Bullgarisë apo Greqisë, të cilat po ashtu do të mundësonin kalimin nëpër hapësirat e tyre ajrore.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani , i cili është kryesues i radhës me OSBE-në tha para disa ditësh se është në kontakt me kabinetin e zotit Lavrov dhe se ai ka shprehur interesimin të marrë pjesë në këtë konferencë të rëndësishme.
Zoti Osmani e ka vlerësuar takimin e nivelit të lartë si ngjarjen më të rëndësishme të kryesimit të OSBE-së nga Maqedonia e Veriut, por ai ka lënë të kuptohet se Moska mund të bllokojë planet për drejtimin e ardhshëm të organizatës dhe zgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm të saj, që ndoshta do të vinte në pikëpyetje të ardhmen e organizatës më të madhe të sigurisë në botë.
Maqedonia e Veriut po bën përgatitje për këtë takim në nivel ministrash ku pritet të jenë të pranishëm rreth një mijë përfaqësues të delegacioneve nga vendet anëtare të OSBE-së. 30 nëntori dhe 1 dhjetori janë shpallur ditë pushimi në kryeqytet për të lehtësuar trafikun dhe qarkullimin e pjesëmarrësve në konferencë./ VOA