Shkupi: Vrasja e 5-fishtë
nga grupe radikale islamiste

Shkupi: Vrasja e 5-fishtë <br />nga grupe radikale islamiste
SHKUP- Zbulohet video e operacionit policor të koduar “Monstra” përmes të cilit autoritetet maqedonase bënë të mundur arrestimin e mbi 20 personave të cilësuar si “radikalë islamikë”. Ata akuzohen për vrasjen e pesëfishtë në fshatin Smillkovcë, në afërsi të Shkupit. Shqiptarja.com ka arritur të sigurojë pamjet e operacionit policor ku u përfshinë rreth 800 policë.

Lajmi është bërë i ditur nga vetë ministrja e Punëve të Brendshme, Gordana Jankullovska, në konferencën për shtyp rreth orës 14:30 minuta. Të arrestuarit, sipas ministres janë “pjesëtarë të grupeve radikale islame”. Operacioni u kodua “Monstra” dhe morrën pjesë rreth 800 policë.

“Bëhet fjalë për qytetarë të Maqedonisë të gjithë nga Shkupi, pjesëtarë të grupeve radikale që paraqesin kërcënim si për myslimanët dhe krisheterët pasi janë udhëhequr me motivin për të krijuar pasiguri dhe frikë mes maqedonasve.Ata janë persona që tentojnë t’u bëjnë keq edhe të krishterëve por edhe myslimanëve të vërtetë në vendin tonë. Të arrestuarit kanë qenë në Afganistan e Pakistan dhe kanë luftuar kundër trupave të NATO-s”, nënvizoi Jankullovska. 

“Të arrestuarit janë persona të cilët drejtëpërdrejtë janë lidhur me vrasjen makabre, por ka dhe të tillë që nuk kemi të dhëna të drejtëpërdrejta nëse janë përfshirë në vrasje. Do merren në pyetje dhe më pas do dalim me deklarata të tjera.”

Gjatë operacionit janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme armësh dhe literaturë e cila flet për përfaqësimin ideologjik të këtyre personave dhe një sërë lëndësh të tjera të cilat mund të shfrytëzoheshin ose janë shfrytëzuar për kryerjen e krimeve. Do të jenë hetimet që do të vërtetojnë nëse me këto armë është kryer vrasja pranë liqenit të Hekuranës.

Ministrja nuk dha emra të të arrestuar, as entiteti i tyre, por operacioni policor, sipas mediave maqedonase , është kryer në lagje me shumicë shqiptare pranë Shkupit, dhe disa nga këto media, si minaonline,  thonë se të arrestuarit janë shqiptarë. Vetë ministrja ka bërë apel ndaj gazetarëve të jenë të kujdesshëm për të mos bërë akuza ndaj një etniteti të caktuar. “Bëhet fjalë për terrorizëm dhe grupe radikale islamike”- nënvozoi Jankullovska.

NE MENGJES U BASTISEN SHTEPITE E SHQIPTAREVE
Media maqedonase raportoi sot në mëngjes për aksione të njësive speciale të policisë në disa rajone shqiptare të Shkupit. Bastisjet, ishin kryer në lagjen e Gazi Babës, Shutkë, në Hasanbeg, Seravë të Çairit, Hasanbeg dhe fshatin Haraçinë. Sot në mëngjes faqja online koha.mk raportonte se ishin arrestuar dhjetra shqiptarë. Ndërkohë, në këto lagje të banuara kryesisht me shqiptarë, vërehen patrullime të shumta të policisë dhe njësiteve tjera të saj.

MES TE ARRESTUARVE, DY TE MOSHUAR SHQIPTARE
Mes 20 të arrestuarve në Maqedoni janë edhe dy të moshuar shqiptarë. Agjensia maqedonase e lajmeve ‘koha.mk’ shkruan se njësitet speciale të policisë kanë vënë në pranga edhe Feride Bilallin, 60 vjeçe nga fshati Hotël i Komunës së Likovës, dhe Qani Hazirin, 64 vjeçar, një ish-zdrukthëtar i dalë në pension nga Shutka. Sipas ‘koha.mk’ 60 vjecarja Feride Bilalli është arrestuar pas një bastisjeje në shtëpinë e saj, ku u gjet një pistoletë. 60-vjeçarja nga fshati Hotël për 15 vjet me radhë jeton e vetme në shtëpi, pasi dy djem të saj jetojnë në Zvicër dhe në Norvegji. Banorët e fshatit Hotël, por edhe ata të Komunës së Likovës kanë shprehur revoltën e tyre ndaj kësaj bastisje dhe arrestimit të 60-vjeçares duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të saj.

VRASJA
Më 13 prill në bregun e liqenit afër Smillkovcit, u vranë Kire Triçkovski, Aleksandar Naqeski, Filip Sllavkovski dhe Cvetanço Acevski, të moshës prej 18 deri 20 vjeç, si dhe Borçe Stefanovski (45) nga fshati Creshevë. Katër të rinjtë, Aleksandar Naqovski, Cvetanço Acevski, Kire Triçkovski dhe Filip Sllavovski u gjetën pranë makinës së tyre, ndërsa peshkatari Bllagoja Stefkovski është gjetur 100 metra në largësi nga katër viktimat.
Vrasja tensioni marrrëdhëniet ndëretnike mes shqiptarëve dhe maqedonasve. Pak ditë pas vrasjes maqedonasit protestuan kundër shqiptarëve, duke shkaktuar dhe rrahjen e tre të rinjve shqiptarë. Ndërkohë që policia gjithnjë është treguar e përmbajtur duke mos dhënë etnitetin e personave të dyshuar si autorë të vrasjes. Komuniteti ndërkombëtar por dhe Tirana zyrtare dhe Shkupi kanë bërë apel për të ruajtur qetësinë.

(im/sg/jd/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

SHBA rrit praninë e avionëve ushtarakë në Lindjen e Mesme

SHBA rrit praninë e avionëve ushtarakë në Lindjen e Mesme