Shpejtësia vijon të jetë shkelja më e përhapur në rrugët e Fierit. Vetëm gjatë një jave, pas monitorimit me pajisje inteligjente dhe kontrolleve në terren, Policia Rrugore ka vendosur 1 567 gjoba për tejkalim të shpejtësisë në akset interurbane dhe në autostradën A2.

Gjatë kësaj periudhe, 26 persona u proceduan penalisht për shkelje të Kodit Rrugor. Tetë prej tyre u arrestuan në flagrancë pasi u kapën duke drejtuar automjetin në gjendje të dehur ose pa leje drejtimi, ndërsa 18 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë për drejtim mjeti pa patentë.

Kontrollet evidentuan edhe shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit. Policia vendosi 57 gjoba për mospërdorimin e rripit të sigurimit, 23 për përdorimin e celularit gjatë drejtimit të mjetit, 68 për parakalim të gabuar, 26 për drejtim automjeti nën efektin e alkoolit dhe 479 masa të tjera administrative për shkelje të ndryshme që ndikojnë në sigurinë rrugore.

Po ashtu, u sekuestruan 21 motomjete që qarkullonin pa dokumentacionin dhe targat përkatëse. Policia Rrugore u bëri thirrje drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit për të parandaluar aksidentet dhe për të rritur sigurinë në rrugë.