LEZHË- Një grua humbi jetën dhe 4 persona të tjetër mbeten të plagosur, pasi automjeti taxi me të cilin udhëtonin doli nga rruga dhe u përplas një grumbull gurësh të mëdhenj. Aksidenti ndodhi rreth orës 4 e 30 minuta të mëngjesit të së enjtes në autostraden Milot-Mamurras, në afersi të mbikalimit të Sanxhakut në Kurbin.
Viktimë e këtij aksidenti mbeti Prena Gjetani 56-vjeçe si dhe u plagosen nusja e djalit të saj Alda Gjetani 30-vjeçe bashkë me dy fëmijët e mitur dhe drejtuesi i automjetit taxi shtetasi Leo Duka 40-vjeç.Të plagosurit u dërguan me urgjence në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku pasi morën ndihmën e parë mjekësore mësohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Sipas të dhënave familja nga Kurbini ishte nisur me taxi drejt aroportit të Rinasit, ku do të udhëtonin jashtë vendit. Ndërkohë policia e cila mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes nisi hetimet për zbardhjen e shkaqeve të këtij aksidenti, që nga dhënat paraprake dyshohet të ketë ndodhur nga përgjumja dhe shpejtësia me të cilën lëvizte drejtuesi i taxis.
Ky është aksidenti i 11 që ndodh në rrugët e Qarkut të Lezhës në harkun kohor të 9 ditëve me një bilanc 3 të vdekur dhe 22 persona të plagosur. Kjo situatë e krijuar ka vënë në alarm dhe Policinë Rrugore e cila ka shtuar prezencën e saj në terren, ku brenda dy javësh janë ndëshkuar me masa administrative mbi 1 mijë drejtues automjetesh të cilët janë kapur në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor që bëhen burim aksidentesh.
Lajmi kryesor: