TIRANE- Shoqata Shqiptare e Bankave ka siguruar të gjithë qytetarët se ngjarjet e fundit në Greqi nuk ndikojnë as në stabilitetin e sistemit tonë bankar e as kursimet e shqiptarëve. Përmes një deklarate zyrtare, Shoqata theksoi se bankat me kapital grek në Shqipëri janë të pavarura nga sistemi bankar grek dhe se asnjë bankë që operon në vendin tonë nuk është degë e një banke të huaj. “Duke marrë shkas nga situata më e fundit në Greqi, Shoqata Shqiptare e Bankave, në emër të gjithë bankave anëtare të saj, dëshiron të sigurojë publikun dhe të gjithë depozituesit dhe klientët se zhvillimet në vendin fqinj nuk ndikojnë në stabilitetin dhe funksionimin normal të bankave në Shqipëri” theksoi Shoqata Shqiptare e Bankave në një deklaratë të djeshme për shtyp.

Degët  
Në deklaratë nënvizohej se të gjitha bankat tregtare që operojnë në Shqipëri, janë të pavarura nga sistemet bankare në vendet e tjera. “Sistemi bankar shqiptar, përfshirë edhe bankat me kapital grek, është financiarisht dhe operacionalisht i pavarur nga sistemet bankare në vende të tjera. Të gjitha bankat tregtare operojnë në Shqipëri si njësi të pavarua ligjore, nën kuadrin legjislativ e rregullator shqiptar, përfshirë kërkesat për kapital dhe mbikëqyrjen bankare. Asnjë nga bankat tregtare në Shqipëri nuk është degë e një banke të huaj”, deklaroi Shoqata.

Bankat
Duke analizuar treguesit financiarë të bankave tregtare që operojnë në Shqipëri, Shoqata nënvizoi gjithashtu se sistemi ynë bankar gëzon nivele mjaft të larta likuiditeti, gjë që garanton stabilitetin e tij pavarësisht ngjarjeve në vendet fqinje. “Sikundër reflektohet në pasqyrat financiare dhe informacionet e publikuara rregullisht, sistemi bankar në Shqipëri ka nivele të larta mjaftueshmërie kapitali dhe likuiditeti, çka garanton stabilitetin e tij, funksionimin normal, dhe mos-ndikimin nga zhvillimet negative në vendet fqinjë”, theksoi Shoqata. Sipas saj, “masat e marra nga Qeveria apo Banka Qendrore Greke përkundrejt sistemit financiar grek nuk kanë asnjë efekt ligjor në Shqipëri dhe nuk mund të impaktojnë në asnjë mënyrë funksionimin normal dhe stabilitetin e sistemit bankar shqiptar”.

Greqia
Deklarata e Shoqatës Shqiptare të Bankave vjen pas vendimit të qeverisë greke për të mbyllur bankat deri më 6 korrik. Më 28 qershor, qeveria greke duke përmendur nevojën ekstremisht urgjente për të mbrojtur sistemin financiar, ka vendosur të mbyllë bankat deri në 6 korrik për shkak të mungesës së likuiditetit. Vendimi vjen një ditë pasi Banka Qëndore Europiane vendosi të ndërpresë financimin emergjent të sistemit bankar grek. Athina ka vendosur që tërheqjet nga bankat të kufizohen në 60 euro në ditë.

Gjithsesi, sipas udhëzimeve nuk do të kenë problem shkëmbimet bankare elektronike, ato me përdorimin e kartave të kreditit dhe debitit, si dhe mënyrat e pagesave nëpërmjet “web banking” dhe “phone banking”. Edhe “prepaid cards” mund të përdoren deri në limitin e caktuar që ekzistonte deri para urdhërit për mbylljen e bankave.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 30 Qershor 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)