TIRANE – Zv/ministri i Mbrojtjes, Ekrem Spahia, është paditur sot zyrtarisht për dhunën verbale të shprehur pak ditë më parë ndaj komunitetit homoseksual. “Aleanca LGBT” dhe “Pro LGBT” bënë sot një kallzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor të Tiranës” kundër liderit të Partisë Lëvizja e Legalitetit (PLL), thuhet në një njoftim për shtyp. “Kjo do të jetë një test i rëndësishëm sidomos për kuptuar se sa vlerë ka në botën e gjyqësorit neni 266 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë”, thuhet në deklaratën e shoqatave pro LGBT.

Aktivistët për të drejtat e komunitetit LGBT përshëndetën gjithashtu deklaratën publike të Kryeministrit Sali Berisha të bërë sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së dhe presin tashmë hapa konkretë nga qeveria në luftën kundër padrejtësisë dhe në proçesin e promovimit të të drejtave të njeriut. Berisha e quajti intolerant reagimin e zv/ministrit të tij dhe tha se Tirana është kryeqytet i të gjithëve.

“Përshëndesim veprimet energjike dhe të shpejta të Avokatit të Popullit z. Igli Totozani, përshëndesim gatishmërinë e Komisioneres për Mbrojtje nga Diskriminimi znj. Irma Baraku nga e cila presim t’i shkojë deri në fund kësaj çështje sipas ligjit në fuqi. Dhe ndërkohë, jemi të vëmendshëm për të kuptuar se cili është qëndrimi zyrtar i opozitës dhe kryesisht i Partisë Socialiste për këtë çështje dhe jemi ende duke pritur që kjo parti e majtë të shprehet publikisht për këtë çështje”, thuhet në deklaratë.

Një grup prej mbi 48 organizatash dhe aktivistësh të njohur për të drejtat e njeriut nënshkruan një letër të përbashkët në mbështjetje të kauzës LGBT, ku dënojnë deklaratën e zëvendës ministrit të Mbrojtjes, Ekrem Spahiu dhe ku mbështesin aktivistët në kërkesën e tyre për dorëheqjen e zyrtarit të lartë. “Duhet thënë se një mbështetje e tillë masive nga shoqëria civile në Shqipëri i jep një dozë të fortë kurajoje të gjithë lëvizjes LGBT”, thuhet në deklaratë.

(im/shqiptarja.com)