Ekipet shqiptare në kompeticionet Europiane kanë mësuar kundërshtarët e radhës nëse do të arrijnë që të kalojnë këtë tur paraeliminator. Fillimisht është hedhur shorti për kompeticionin më elitar për klube, Champions League, aty ku Shqipëria përfaqësohet me kampionët e Superligës, Skënderbeun.

Nëse do të arrijë që të kalojë këtë tur, kampionët e Shqipërisë do të ndeshen me fituesen e çiftit Clifftonville-Debrecen. Me Debrecenin, Skënderbeu u ndesh dy sezone më parë në Champions, ku fitoi 1-0 në Korçë dhe u mund 3-0 në Hungari duke u eliminuar, por këtë herë historia mund të flasë për shqiptarët.

Por për të kaluar në turin e tretë, ekipi i drejtuar nga trajneri Mirel Josa duhet që të mposhtë më parë ekipin e BATE Borisov. Në ndeshjen e parë korçarët barazuan në Bjellorusi me rezultatin e bardhë 0-0 duke zhvendosur kualifikimin për më datë 22 Korrik në Korçë.

Edhe pse historia nuk është me Skënderbeun, përballë BATE-s janë të favorizuar, pasi luajnë përballë tifozerisë së tyre dhe gjithçka do të jetë më e lehtë.  Ndërsa kampionët e Hungarisë, Debrecen është i favorizuari kryesor për të siguruar kalimin në raundin tjetër, pasi ka barazuar takimin e parë në transfertë me irlandezo-veriorët 0-0.

Europa League
Ndërkohë që përpos Champions League është hedhur shorti në Nion të Zvicrës është për Europa League, ku Shqipëria përfaqësohet nga Flamurtari dhe ekipi i Laçit. Nëse Flamurtari do të arrijë të kalojë Petrolul Ploestin do të përballet në raundin e tretë të Europa League, me gjigantët çekë të Victoria Plzen.

Kujtojmë që në ndeshjen e parë ekipi i kuqezinjve të Vlorës u mund në Rumani me rezultatin 2-0 dhe shanset janë të pakta që të kalojë më tej. Megjithatë emri i kundërshtarit është një motiv më shumë për obligim maksimal për ndeshjen e kthimit për përmbysjen e madhe.

Ndërsa Laçi që pothuajse është eliminuar pas humbjes në shtëpi 0-3 me Zoryan, do të përballet me fituesin e çiftit Molde – Nova Gorica nese ben mrekulline. Shanset për bardhezinjtë janë akoma më të vogla pas humbjes së thellë. Ndeshjet e para do të luhen më 31 Korrik dhe ato të kthimit më 7 Gusht.

d.b/shqiptarja.com