Kombëtarja shqiptare e futbollit ka edhe dy finale play-off përpara se të marrë të drejtën për të luajtur në Botërorin 2026, që do zhvillohet nga 11 qershori deri më 19 korrik në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Nëse kalon Poloninë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesen e çiftit Ukrainë - Suedi, kombëtarja shqiptare e futbollit do vendoset në Grupin F të finaleve të Kupës së Botës 2026. Rivalë për tanët do jenë (gjithmonë nëse kalon) emra si Holanda, Japonia dhe Tunizia.

Nga ana tjetër, Kosova, nëse kalon Sllovakinë në gjysmëfinalen play-off dhe fituesin e çiftit Turqi - Rumani, do vendoset në Grupin D të Kupës së Botës, me rivalë si SHBA, Paraguai dhe Australia.

Pas shortit të të premtes në Washington, nga SHBA foli presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka.

Kreu i qeverisë së futbollit shqiptar tha se rrugëtimi i Kombëtares për të arritur në Botëror është i vështirë, por theksoi se Shqipëria do të luftojë deri në fund për të qenë pjesë e finaleve.

“Organizimi i shortit ishte fantastik. Vetëm futbolli mund të bëjë që të bashkojë kaq shumë njerëz bashkë, njerëz të rëndësishëm të politikës, njerëz shumë të rëndësishëm të botës së futbollit, por edhe të sporteve të tjera.

Ne jemi shumë të lumtur që jemi pjesë e këtij eventi të rëndësishëm. Ishte dita e parë, pra organizimi i shortit dhe për këtë unë dua të falenderoj futbollistët e ekipit Kombëtar dhe stafin, që na e kanë bërë të mundur të ëndërrojmë për të qenë pjesë e këtij Botërori.

Padyshim që rruga jonë është e vështirë. Ne kemi një ndeshje shumë të vështirë kundër Polonisë në Varshavë dhe nëse e kalojmë atë pastaj do të luajmë një ndeshje finale kundër skuadrës fituese Suedisë apo Ukrainës me ëndrrën për të qenë pjesë e Botërorit.

Duhet të vazhdojmë të luftojmë deri në minutën e fundit dhe unë kam shumë besim te skuadra jonë, te motivimi i tyre dhe dëshira e tyre për të qenë pjesë e Botërorit. Uroj shumë që vërtet ta realizojmë këtë ëndërr, jo vetëm të ekipit të futbollit, jo vetëm të Federatës Shqiptare të Futbollit, por të gjithë shqiptarëve që e duan shumë futbollin”, tha Duka.